Albin Kurti: Kosova po bëhet si Bosnja

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për agjencinë ballkanike të lajmeve IBNA flet për zhvillimet më të reja në Kosovë, procesin e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, pajtimin në të ardhmen midis popujve në Ballkan, rrezikun e Bosnjëzimit të Kosovës, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, rrugëtimin e Kosovës në planin e integrimeve euroatlantike, si dhe procesin e lustrimit.

Si i vlerësoni bisedimet e Kosovë-Serbi të cilat po zhvillohen mes kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq?

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë i kanë shërbyer Serbisë në dy rrafshe. Përmes pjesëmarrjes së Kosovës në negociata, ajo ka fituar aurën e fqinjit të mirë e konstruktiv, duke mundësuar kështu edhe fitimin e statusit të vendit kandidat dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Ndërkaq, marrëveshjet me të cilat kanë rezultuar këto negociata e kanë rritur cilësisht dhe e kanë formalizuar Serbinë brenda Kosovës. Nëse me Planin e Ahtisaarit, përmes vizatimit të territorit në vija etnike është hedhur tharmi seperatist, ky proces duke vazhduar në të njëjtin drejtim, ka marrë përmasat e entitetit autonom me Marrëveshjen e 19 Prillit 2013 për formimin e Asociacionit të komunave serbe. Nëse me Planin e Ahtisaarit kishim komuna etnike serbe me kompetenca të zgjeruara, me marrëveshjen e 19 Prillit kemi asociacion i cili nuk mund të zhbëhet nga asnjë prej institucioneve shtetërore; me Planin e Ahtisaarit kemi komandantin policor që zgjidhet nga komunat serbe, pas marrëveshjes së 19 Prillit komunat veriore e kanë zgjedhur edhe komandantin rajonal; me Planin e Ahtisaarit kemi gjyqësi të ndarë etnikisht në nivelin e parë, marrëveshja e fundit e ka ndarë etnikisht edhe apelimin.

Në të ardhmen a mund të ndodhë pajtimi mes popujve të Ballkanit, kërkesë kjo e Brukselit zyrtar për raporte të mira fqinjësore në rajon?

Mendimi që kemi për natyrën dhe shkakun e konfliktit në Ballkan është pikënisje dhe metodë trajtimi e zgjidhjes së tij. Trajtimi ideologjik i ditëve të sotme mbi konfliktet në Ballkan ka dy probleme themelore: i pari është diskursi që na vjen nga kultura e “lartë” perëndimore mbi popujt e Ballkanit si gjaknxehtë e të prapambetur, ngjashëm siç bëhej dikur me ligjërimin orientalist. I dyti, por jo më pak problematik, është supozimi se konfliktet në Ballkan janë rrjedhojë e mungesës së tolerancës midis popujve me kultura të ndryshme. Kujtoni këtu ato qindra projekte e konferenca me titullin “marrëdhëniet ndër-etnike”. Të dyja këto, s’janë gjë tjetër veçse justifikime për ta përjetësuar rolin antidemokratik të faktorëve ndërkombëtar. Në fakt, luftërat në Ballkan janë pasojë e pushtimeve dhe pabarazisë midis popujve të ish Jugosllavisë, apo thënë më saktë, midis aspiratave hegjemoniste të Serbisë, dhe luftërave çlirimtare të popujve. Kur marrëveshjeve për paqe u mungon drejtësia e universaliteti, ato s’janë gjë tjetër përveç pasqyrimit të raportit momental të forcave, i mundësive aktuale të palëve për të ushtruar dhunë. E kalimin nga rendi i dhunës e dominimit, tek rendi i paqes dhe drejtësisë e kemi të pamundur pa parimin e barazisë. Do të kemi paqe të përhershme në Ballkan, atëherë kur do të kemi barazi midis popujve. Ne në Lëvizjen Vetëvendosje! angazhohemi për paqe e pajtim midis popujve të Ballkanit. Kjo gjë s’ka si bëhet më mirë se sa duke u angazhuar për të drejtën për vetëvendosje, transmeton express.

Ju thoni se Qeveria e Thaçit po e rrezikon shtetin e Kosovës. Keni paralajmëruar rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës, thellimin e varfërisë si dhe privatizimin e egër neoliberal. Si do të ndaloni këtë qeverisje, si do t’i ndaloni këto projekte që sipas jush dëmtojnë rëndë shtetin e ri?

Kritika e saktë e Lëvizjes Vetëvendosje për problemet me të cilat përballet Kosova, ka qenë dhe mbetet kusht i domosdoshëm për Programin Politik dhe Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes sonë, por edhe për përcaktimin e metodave politike që do t’i përdorim gjatë aksionit tonë politik. Thellësia e kritikës mohuese dhe abstraksioni kanë mundësuar spastrimin e terrenit gjuhësor ideologjik, mundësinë për të parë tërësinë e problemit me të gjitha lidhjet strukturore të tij, për të arritur kështu tek një një afirmacion Tjetër: Programi Politik dhe Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje! Metodat e mjetet që do t’i përdorësh gjatë luftës politike janë të lidhura pashkëputshëm me shpjegimin që e ke për natyrën e problemit dhe specifikat e vendit ku vepron, sigurisht duke mos këmbëngulur këtu tek veçantia absolute që do të relativizonte tejmase problemet që mund të jenë globale. Në këtë drejtim, ne jemi të bindur se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk mund të jetë një rotacion i thjeshtë i pushtetit, që zakonisht është alternim që vjen si rezultat i inercionit. Prandaj, edhe nuk i kemi ndërprerë asnjëherë tubimet me qytetarë, protestat, por edhe nismat e ndryshme ligjore në Kuvendin e Kosovës.

A pritet të ketë së shpejti zgjedhje të reja parlamentare në Kosovë? A mendoni se do ta realizoni synimin tuaj për marrjen e pushtetit për t’i parandaluar politikat e gabuara, siç thoni ju, të qeverisjes së deritanishme?

Sa na përket neve, zgjedhjet e reja parlamentare do të duheshin mbajtur shumë kohë më parë. Lëvizja Vetëvendosje! u ka bërë thirrje dy subjekteve parlamentare që nuk janë pjesë formale e koalicionit që nga dhjetori i vitit 2011 për ta nënshkruar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Ne po vazhdojmë me konsolidimin e radhëve tona, pavarësisht nëse do të ketë zgjedhje afër apo larg. Ne refuzojmë t’i nënshtrohemi presionit e dinamikave të gjendjes emergjente që vijnë nga insinuatat që shkakton Hashim Thaçi për ta shpëtuar veten. E dimë edhe nga përvoja e marrëveshjes Thaçi-Pacolli-Mustafa se të ashtuquajturat kriza institucionale, apo konsensuse për interes nacional, s’janë gjë tjetër veçse mënyra e Hashim Thaçit për ta mbuluar luftën e tij të paskrupullt për të mbetur në pushtet. Marrëveshja e tij me Pacollin e Mustafën nuk ka realizuar asnjë nga objektivat që proklamoheshin asokohe. As nuk ia kufizoi mandatin koalicionit aktual siç thoshte LDK-ja, as nuk rezultoi me zgjidhjen e presidentin nga populli siç këmbëngulte AKR-ja, madje as nuk e bëri reformën zgjedhore. Në fakt, ajo e ka kryer qëllimin e saj të vërtetë: nxjerrjen e Hashim Thaçit nga kurthi procedural, për të vazhduar me negociatat e privatizimet. Edhe LDK edhe AAK, nëse vërtet duan ta luftojnë Hashim Thaçin, duhet të mësojnë nga gabimet e tyre. Hashim Thaçi nuk luftohet duke pranuar lojën e tij.

Në rast se merrni verdiktin e popullit, a do të merrni ju përgjegjësinë si kryeministër për ta nxjerrë nga situata në të cilën ju thoni se gjendet tani?

Nuk besoj që duhet t’ia lejojmë vetes që përqendrimi i madh tek figura e individit të fuqishëm, që protagonizmi dhe verbëria e atyre që thonë “unë” të marrë aq shumë ndikim tek ne, sa të përbrendësojmë këtë mënyrë mendimi deri aty sa t’i ndryshojmë rregullat e shqipes. Në fakt, ky lloj populizmi është gjithmonë tregues i mungesës së orientimit programor e konceptual. Kur s’kemi çfarë themi për parimet politike, atëherë flasim për cilësitë e liderit: për heroizmat e tij, për modestinë, për zemërgjerësinë dhe rreptësinë e njëkohshme e çfarë jo tjetër. Mbështetja tek individi i fuqishëm, kultet e personalitetit, kanë për qëllim nxitjen dhe shfrytëzimin e emocioneve të masave, pa ua dhënë atyre mundësitë për çlirim. Në një vend a në një kohë tjetër, kjo mund të ishte paradhoma e fashizmit. Unë nuk dua që njerëzit të besojnë në mua pa besuar në veten e tyre. Kosovën nuk do ta nxjerrë nga kjo gjendje individi, asnjë individ i veçantë, por populli e qytetarët që ngrihen në nivelin cilësor dhe përmbajtjen kuptimore që kanë këto nocione demokratike.

Si e komentoni situatën e fundit në Universitetin e Prishtinës, protestat dhe largimin e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi, i cili akuzohet se publikoi punime shkencore në revista të rreme…

Universiteti i Prishtinës ka kohë që është i përmbytur nga interesat korruptive të pushtetit. Kjo përmbytje nuk kufizohet me mundësinë që e ka Qeveria për të emëruar njerëzit në krye të Universitetit. Ndikimi i pushtetit në Universitet është sistemor dhe ideologjik. Duke filluar nga ndikimet formale e joformale të njerëzve të pushtetit, për të vazhduar tek shkëmbimet e favoreve e klaneve të formuara brenda tij, shërbesa e Universitetit si një vend ku përmes rrëmbimit të titujve shkencorë fitohet “kompetenca e dijes” për t’u hedhur pastaj në Qeveri, vazhdon me keqpërdorimet financiare, marrëveshjet e paligjshme për përfitim pronash etj. Me kriteret e ulëta, mungesën e punës dhe të përkushtimit, Universiteti i Prishtinës nuk prodhon dot as teknicienë të mirë. Jo më që t’u mësohet atyre interesi i përgjithshëm dhe ndikimi në shoqëri i secilit ushtrim të profesioneve të veçanta. Sa për intelektualë të pozicionuar subjektivisht as nuk bëhet fjalë. Ideologjia e pushtetit teksa i thërret studentët në apati, i ka shndërruar studimet në procedurë nënshtrimi. Janë mjaft indikative komentet e mediave dhe analistëve të pushtetit që mënyrën më të mirë për t’i etiketuar e linçuar studentët protestues ishte vula e të qënit i “ngjyrosur politikisht”. Një lëvizjeje emancipuese brenda Universitetit po ia shohim fillet, por ata përveç që duhet të luftojnë për të drejtat që u takojnë, do t’u duhet që të bëjnë po aq edhe ndërhyrje gjuhësore, duke ripërkufizuar termat, për ta çliruar gjuhën nga ideologjia dominuese që qëllim të vetëm ka riprodhimin e marrëdhënieve shtypëse. Politika, ta zëmë, duhet ndarë dhe duhet pushuar së qeni identifikim i partikulares, ajo po ashtu duhet ndarë edhe nga menaxhimi e administrimi.

A mund të ndodhë një skenar i njëjtë me protestat dhe trazirat në Bonjë edhe në Kosovë?

Nuk mund të parashikoj, dhe vështirë se mund të parashikohen, momentet e subjektivimit të popujve. Ato janë rezultat i pakënaqësisë së akumuluar heshturazi për një kohë të gjatë, që zbrazet e shfaqet furishëm në një moment të caktuar, në momentin kur sasia shndërrohet në cilësi. Por, çfarë dimë me siguri janë paralelet që mund të tërhiqen lidhur me natyrën e problemeve në Bosnjë dhe Kosovë. Duke filluar nga ndarja e brendshme territoriale, shovinizmi serb, sundimi ndërkombëtar, privatizimet e egra neoliberale, varfëria e skajshme, papunësia, etj.

Si po ju ecin punët me bashkinë e Prishtinës ku përfaqësuesi juaj është kryebashkiak? A do t’i realizoni premtimet e fushatës?

Premtimet nga fushata e zgjedhjeve për Komunën e Prishtinës janë kontrata e Shpend Ahmetit me qytetarë. Ato do të zbatohen një për një, siç kanë qenë të parashikuara me afate kohore. Kryetari i Prishtinës tashmë i është përveshur punës dhe secili nga premtimet ka marrë rrugën e realizimit.

Si e vlerësoni debatin e hapur në Shkup për dosjet. A mendoni se edhe Kosova së shpejti duhet të ballafaqohet me procesin e lustracionit?

Procesi i lustracionit dhe ballafaqimi me të kaluarën pushtuese totalitare është një proces i domosdoshëm për shoqëritë të cilat kanë kaluar nëpër periudha të tilla. Vetëm duke kaluar nëpër këtë proces dhe duke u ballafaquar me të mund ta zgjidhim këtë problem. Por, kjo gjë duhet bërë gjithmonë duke pasur parasysh se lustracioni është proces që duhet bërë për pastrimin shpirtëror të shoqërisë mbarë, dhe jo një instrument shantazhi e presioni. 

Lajme të ngjashme

Back to top button