Ministria e Arsimit krejt “out” me shkencën në Maqedoni

Gjatë vitit 2016 nuk është financuar asnjë projekt për realizim të hulumtimeve shkencore. Kjo u bë e ditur sot në Shkup nga profesorë universitar në konferencën përfundimtare me temë “Sfidat dhe mundësitë për financim të hulumtimeve shkencore në Republikën e Maqedonisë”, njofton Portalb.mk.

“Financimi i hulumtimeve shkencore është obligim i Ministrisë së Arsimit, por në vitin 2016 nuk është financuar asnjë. Kjo ministri më shumë financon hulumtime shkencore individuale, se sa grupore. Banka Botërore financimin e hulumtimeve shkencore për vitin 2013 në Maqedoni e paraqet në rritje prej 0.2% deri në 0.4% për bruto-prodhimin vendor, kjo nuk pasqyrohet në realitet. Gjatë vitit 2010 është realizuar projekt ku janë përzgjedhur hulumtimet shkencore, por që nuk janë financuar të njëjtat, ndërsa në vitin 2011 as që është përzgjedhur ndonjë projekt për hulumtime shkencore. Krahas asaj që duhet të investohet në mjete të cilat mundësojnë realizim të hulumtimeve shkencore, Ministria e Arsimit duhet të punojë edhe në përsosje të kuadrit arsimor dhe se Këshilli i paraparë për mbikëqyrje të kësaj situate de-fakto nuk funksionon në Maqedoni. Institucionet përgjegjëse shumë pak tërheqin fonde nga projekte ndërkombëtare, e që kjo ndikon edhe në atë se sa institucionet arsimore financojnë hulumtimet shkencore”, u shpreh Snezhana Biliq, profesoreshë universitare.

Krahas kësaj, një tjetër profesoreshë vlerëson se rol kyç në rritjen e numrit të hulumtimeve shkencore ka edhe Parlamenti i Maqedonisë, ngase në të miratohen ligjet për arsimin e lartë universitar.

“Në Parlament duhet të miratohen ligje të cilat do të kontribuonin në funksionim adekuat të universiteteve në Maqedoni dhe nxitjen e financimin e hulumtimeve shkencore nacionale. Duhet të përmirësohet procedura e aplikimit dhe financimit të hulumtimeve shkencore e cila ndërlidhet me transparencën, objektivitetin dhe përgjegjësinë gjatë kësaj procedure, ngaqë nuk dihet saktë se kush konkurron, për çfarë konkurron dhe kush vendos në fund të tërë kësaj procedure. Kjo do të zvoglonte mundësinë e manipulimit me mjetet e parapara”, tha Emilija Simoska, profesoreshë universitare.

Nga Sllovenia ishte i pranishëm profesori Mitja Zhagar, i cili tregoi se sa financohet nga buxheti shtetëror për hulumtime shkencore duke treguar edhe dallimin ndërmjet Maqedonisë dhe Sllovenisë për sa u përket këtyre hulumtimeve.

“Sllovenia, në krahasim me Maqedoninë është në një nivel më të larte, sepse ajo miraton projekte për realizim të hulumtimeve shkencore. Numri më i madh i tyre janë projekte ndërkombëtare, por ka edhe prej atyre që financohen nga institucionet shtetërore. Por gjithashtu, duhet të financohet në atë që të krijohet një sistem më i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rreth 40% i buxhetit shtetëror i Sllovenisë është shfrytëzuar për financim të hulumtimeve shkencore, por që kjo bëhet varësisht natyrës së hulumtimeve shkencore, ku më shumë financohen hulumtimet shkencore në drejtime ekzakte”, tha Mitja Zhagar, Anëtar i Këshillit Shkencor në Slloveni.

Kjo konferencë u mbajt në kuadër të projektit “Dialogu nacional për politikë publike”, e realizuar nga instituti për Politikë Evropiane dhe Koalicionit për të Drejtat Gjinore dhe Shëndetësore të Grupeve të Margjinalizuara, kurse u financua nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Demokratik, Programi Rajonal për Përkrahje të Hulumtimeve, Universiteti i Freiburgut dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button