DËBIMI

Mëngjes i ftohtë nëntori. Nga jashtë u dëgjua një e trokitur në derë. Pastaj ra edhe një herë. U ngrita i shqetësuar se ishte herët. Diçka do të kishte ndodhur keq, mendova, sepse të mijtë jetonin larg. Duke ndërruar hapat e rëndë kah s’më shkonte mendja. Babai?… Sa e lëviza çelësin, dera u shty me forcë dhe vizitori u fut brenda. Një polic i cili mbante një letër në dorë.
“Ja”, më tha, “merre”!
“Çfarë të marr”!
“Vendimin! Ti e di fare mirë se duhet të dalësh nga banesa shoqërore”!
Nuk ia dola ta them asnjë fjalë, kurse polici ma lëshoi letrën në dorë dhe unë as nuk e mbaj në mend si e kisha nënshkruar.

“I ke njëzet e katër orë t’i bajsh çaklat! Shko te irredenta jote të të japë banesë”! më tha polici duke u larguar, kurse unë mbeta i shashtrisur e i shtangur te dera e hapur. Mendoj se edhe po të më qëllonte me plumb në atë çast pikë gjaku nuk më kishte dalë. Hyra brenda në shtëpi dikur. Në dhomë, fëmijët flinin si qengja.
“Kush ishte te dera?”, pyeti gruaja nga kuzhina ku e piqte kafenë e mëngjesit.
“Askush, askush…”, iu përgjigja, kurse nga thellësitë e shpirtit më dilte si llavë vullkani një e sharë që s’e kisha thënë asnjëherë në jetë: ”Djalli nënën”!…

Pastaj me një rrëmujë të madhe i mblodhëm plaçkat e çaklat me pyetjet e vazhdueshme të gruas: “Çka ndodhi?… Ku do të shkojmë? Pse?… Pyetjet e saj ma lëndonin shpirtin, kurse vendimi i “pushtetit popullor” m’u bë se më ballafaqoi me ditën e kiametit. Megjithatë shpejt e kuptova se s’kishim derë tjetër, përveç se të lëvizim. Plaçka e çakla i vendosëm te një njeri që mezi e njihja, në një shtëpi pa derë, kurse me fëmijët mbetëm në makinën e vogël Fiat çinkveçento të presim fatin që të na nxjerrë nga kjo ngushticë. Gruaja qante, fëmijët rrinin të përqafuar nga frika, kurse unë vozisja në shteg pa shteg. Në veturën e vogël i numëronim orët që dukeshin të gjata, ditët që nuk ecnin.

Pas disa ditësh pa gjumë, në lëvizje e me net të kaluara nëpër parkingje, dola nga vetura. Disa herë u rrotullova nëpër gjethet që e kishin mbuluar rrugën, shikova rreth vetes, u shtrëngova. Duhej bërë diçka.

I mblodha çakla e plaçka, fëmijët, gruan, me një fjalë krejt shtëpinë. I qita mbi shpinë dhe u nisa drejt të panjohurës. Prapa më ndiqnin qentë hap pas hapi, ndërsa fëmijët e frikësuar thërrisnin: “Mami, mami”…
I shikova të gjithë me pikëllim, po megjithatë thashë: duhet të shkoj përpara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button