BDI premtoi parqe por ata shkatërrohen për përfitime personale

Zonat e gjelbra dhe parqet dita ditës po shkojnë dukë u shkatërruar, duke u zhdukur dhe mu për këtë arsye ndotja e ajrit ka arritur një nivel shumë të lartë në Maqedoni. Edhe pas përfundimit të procesit të legalizimit, ndërtimet që kanë uzurpuar tokat e gjelbra në komunën e Çairit nuk do të hiqen. 

Edhe pse Bashkimi Demokratik për Integrim premtoi mirëmbajtje të parqeve dhe rregullimin e zonave të gjelbra nëpër Shkup por dhe ndërtimin e parqeve të reja në Saraj e Likovë, banorët nuk janë fare të kënaqur me realitetin e hidhur, me të cilin po ballafaqohen.

“Kishim park para ndërtesës, kurse tani në atë pak vend ku kishte gjelbërim është duke u ndërtuar një ndërtesë e cila jo vetëm që shkatërron parkun po gjithashtu shkatërron edhe planin dhe zë pamjet e shumë ndërtesave tjera. Nuk e di se si kanë marrë leje për një ndërtim të tillë. Është e tmerrshëm ajo që po ndodh në këtë lagje”, tha T.Z, banor i lagjes Çair në Shkup.

Inxhinieri Vullnet Çerkezi i cili po ashtu është përgjegjës edhe për çështjet e urbanizmit, vlerëson se vendi ynë ka nevoje të madhe për zonat e gjelbra dhe parqet rekreative, por fatkeqësisht ato edhe nëse janë në platformat e partive në pushtet, asnjë prej projekteve nuk është realizuar.

“Gjelbërimi është shumë i rëndësishëm dhe qytetet si dhe në vendet rurale, por ja që mungesë e madhe vërehet tek zonat shqiptare, në të cilat dita ditës po zhduken parqet dhe zonat e gjelbra”, tha për Portalb, Çerkezi.

Ndërkaq në platformën e re të BDI-së si dhe në të vjetrën, qëndrojnë disa projekte në të cilat premtohet rregullimi dhe ruajtja e zonave të gjelbra në qytete si dhe zhvillimi i parqeve rekreative në zonat të banuara me shumicë shqiptare.

Foto- Platforma e BDI-së 2014-2018

Foto- situata aktuale në Çair – prerja e drunjve për ndërtim të objekteve

Ai shtoi se fajet për këtë gjendje e kanë vetë kryetarët e komunave si dhe partitë shqiptare në pushtet të cilat nuk lodhen për mjedisin por e kanë mendjen vetëm te biznesi.

“Urbanizimi jo legal në komunat shqiptare po shkatërron mjedisin duke mos lënë vend për fëmijët që të kenë ku të lozin por gjithashtu po shkatërron ajrin dhe po dëmtojnë syrin. Komunat shqiptare kanë me bollëk parqe dhe zona rekreative, mirëpo nuk dinë t’i mirëmbajnë ato dhe në këtë mënyrë ato vetvetiu shkatërrohen. Kemi shembull parkun e Sarajit, dhe shumë vende të ngjashme të cilat janë lënë pas dore, por të cilat kanë rëndësi të madhe për mjedisin. Synimi i partisë politike në pushtet si duket është vetëm biznesi, dhe të gjithë e dimë se sot të hollat janë tek ndërtimet e objekteve të ndryshme, gjë që po realizohet me shumë sukses”, theksoi Çerkezi.

Foto- situata aktuale në Çair – prerja e drunjve për ndërtim të objekteve

Lajme të ngjashme

Back to top button