Partitë shpërdorin institucionet për fushatë zgjedhore

Shpërdorimi i institucioneve dhe parave shtetërore gjatë fushatës parazgjedhore është vërejtur në disa qytete, si nga vëzhguesit e Civil-it, ashtu edhe nga institucione dhe media. Ajo që u vërejt në javën e parafundit para zgjedhjeve presidenciale dhe në fillim të fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ishte përdorimi i resurseve shtetërore për aktivitete partiake.

Ndër rastet më drastike të keqpërdorimit të detyrës dhe resurseve publike është ai i kryetarit të një komune, i cili me automjet zyrtar ka shkuar në Itali për t’i bindur maqedonasit të cilët punojnë përkohësisht në këtë vend, që të votojnë partinë në pushtet VMRO-DPMNE. Ndërkohë, gjatë kthimit, në kufirin mes Sllovenisë dhe Kroacisë, automjeti prishet dhe për dëmin e shkaktuar dhe kthimin e automjetit në Maqedoni paguhet rreth 5.000 euro nga paratë e buxhetit komunal.

Monitoruesit tanë, si dhe më shumë media, njoftuan edhe për rastin e Prilepit, ku automjeti i ndihmës së shpejtë ka “defiluar” nëpër qytet me flamuj partiakë të VMRO-DPMNE-së. Për këtë rast ekzistojnë edhe video xhirime të cilat i transmetuan më shumë portale. Spitali i qytetit i Prilepit pas këtyre informatave lajmëroi se ndaj punonjësit që ka keqpërdorur mjetin zyrtar, ka ndërmarrë sanksione dhe se do ta shqyrtojë rastin deri në fund.

Ndër parregullësitë e tjera zgjedhore, mes tjerash, është vërejtur edhe shpërdorimi i institucioneve arsimore për marketing politik gjatë fushatës.

PORTALB ditë më parë informoi se partia shqiptare në pushtet, BDI, ka vendosur material promovues në dyert e godinës së Universitetit të Tetovës në Shkup.
Gjithashtu, nga portali Republika janë publikuar fotografi ku shihen posterë promovus të kësaj partie nëpër muret e klasëve të shkollës së mesme Cvetan Dimov.

Lajme të ngjashme

Back to top button