Adi Krasta: Beteja e televizioneve, unë nuk jam zagar dhe legen

Gazetari dhe prezantuesi i njohur flet në gazetën “Observer” për deklaratat e tij të ashpra në mbrojtje të televizonit publik për ndarjen e rrjeteve dixhitale. Mendimet për lobingjet në zyrën e kryeministrit për caktimin e platformave dhe si mbrohet interesi i publikut. Vlerësimet për Tanin e “Top”-it dhe pse televizionet rrezikojnë të bëhen diktatoriale. Çfarë e bashkon atë me Vajdin Lamen, Ylli Ndroqin, Beketin dhe Aleksandër Frangajn

Çfarë ka ndodhur që Adi Krasta është vënë kundër “Top Channel” për sa i përket kanaleve dhe platformave dixhitale? Ka patur shumë komente edhe në rrjetet social….

“Kolegët e mi Mustafa Nano dhe Adi Thano u nxituan pak. Nga një entuziazëm tipik rinor i ditës dhe nxorrën deduksione, që nuk duhet t’i kishin bërë ata të parët për të galvanizuar një ndikim dhe reagim të komentuesve. Lajmi nuk është që është sulmuar ‘Top Channel’, sepse unë nuk kam asnjë qëllim asnjëherë të sulmojë, jo vetëm ‘Top Channel’, por asnjë institucion mediatik”.

Megjithatë keni thënë që njëri nga televizionet mund të ketë kapur qeverinë për interesat e tij. Për cilin televizion e keni fjalët?

“Ngjarja ndodh kështu. Bashkimi Europian është shumë i ndjeshëm dhe gjithë reagimi im fillon për shkak të ndjeshmërisë sime të jashtëzakonshme për Radio Televizionin Shqiptar. Unë jam larguar nga RTSH rreth 20 vjet më parë, mirëpo jam i ndjeshëm si pjesë e publikut. Ne kemi një RTSH të braktisur, të dhunuar, të keqpërdorur, i cili mund të ketë një moment kthese të rëndësishme, në rast se sipas kërkesës së BE-së, në këtë erë të madhe dixhitalizimi do të ketë 2 rrjete (platforma), me nga 25 kanale. Do të ketë edhe dy platforma të tjera, që ju urojmë gjithë të mirat e botës. Në këtë periudhë kapitaliste lejohet të punojnë të gjithë, por RTSH, jo vetëm që duhet të marrë dy rrjete me nga 25 kanale, por ka nevojë t’i marrë, sepse duhet të ruajë primatin në interes të publikut, duhet të zhvillohet, duhet të jetë i predispozuar për të ndryshuar kur vagoni i ndryshimit të vijë, padyshim duke mirëkuptuar të gjithë bashkë shqetësimin e madh që kanë institucione të tjera që hyjnë në këtë konkurrencë. Reagimi është për të mbrojtur RTSH-në. Natyrisht që vendimin e merr kryeministri, po të dëgjosh dhe të lexosh mirë, ti kupton që fjala thuhet dhe merr peshë në timbrikën e saj dhe sipas informacioneve të personalizuara që gazetarët kanë (dhe një pjesë e tyre kanë lidhje të drejtpërdrejta, unë jo) në këtë rast po bëhet një presion i madh që një rrjet t’i iki RTSH-së dhe të ndahet në një formë të rikonfiguruar për të ruajtur potencën monopolistike. Në këtë mes, nëse do të duhet të specifikoja unë se mund të përfitojë, aty padyshim që do të përfitojë njëra nga të dy platformat. Të dy platformat konkurrente private nuk do të jenë të barabarta, por ky nuk është shqetësimi ynë. Gjithë shqetësimi ka qenë RTSH, për të cilin, jo vetëm që kam ndërmend të mos ndryshojë dhe të jem shumë i shqetësuar, por ftoj edhe kolegët e mi, pjesëtarë të publikut, njerëz që kanë interesa me radiotelevizionet, që të tregojnë një vëmendje të madhe, sepse RTSH kur shihet në dritë të mbarë bën një rol të jashtëzakonshëm në interes të publikut shqiptar”.

Megjithatë qeveria nuk vepruar ende…

“Pikërisht dhe unë përdora një nuancë të qëllishme dhe them se nëse zoti Berisha do të ketë një herë të vetme të drejtë në jetë, atëherë kemi të bëjmë me një operacion të paligjshëm, nën tavolinë, me negociata të vështira dhe duke bërë presion të kreu i ekzekutivit, i cili duhet të marrë vendimin e famshëm. Në qoftë se kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të jetë një gëzim i madh dhe RTSH do të marrë dy rrjete me nga 25 kanale dhe dy platformat e tjera do të marrin nga një rrjet”.

E gjithë kjo histori bëhet për të patur monopolin në treg?

“Po ta shohësh me vëmendje, shqetësimi i gazetës që komentuesit nuk janë pro, një shqetësim artificial dhe i keqvendosur, tregon që ka një ndjeshmëri të përgjithshme për mënyrën se si do të mbarojë telenovela. Unë nuk jam në blog-er dhe nuk jam i ndjeshëm se si reagojnë komentuesit. Atyre në përgjithësi, në blogje dhe faqe online, nuk kam mundur t’u krijojë identikitin. Se si reagojnë ata është plotësisht në diskrecionin e tyre, por se si duhet të reagojë njeriu shqiptar, gazetarët e shtypit të shkruar dhe medias elektronike, njerëzit që kanë lidhje apo punojnë në institucione vëzhguese apo ligjvënëse, ndaj në një vend që ka prirje të dukshme për të kaluar nga anarkia në neodiktatura, nga përdorimi antipatik, deri në krijimin e situatave të amulllta, duhet të jetë i lartë. Arsyeja dhe motivi i një njeriu në televizion është të nxisë diskutim dhe mundësisht një kthim koke ndaj racionalitetit. Këto janë situata që shihen dora-dorës nga ata që e vëzhgojnë me kujdes mënyrën se si shkon dhe që duhet ta kishin bërë deri më tani”.

Eshtë më mirë të paralajmërosh se sa të flasësh pasi gjërat janë bërë fakt i kryer….

“Padyshim që është më mirë të paralajmërosh. Nuk kam ndërmend të kënaq njeri në këtë vend për të bërë njeriun që rri kot në televizion dhe bën qejfet e momentit, duke bërë autolëvdata dhe duke shkaktuar kënaqësira prozaike private. Interesi i publikut, edhe kur ai nuk e ka mendjen dhe është lehtësisht i manipuluar dhe kur çështjet janë të komplikuara, vëzhgohet nga njerëz që janë aty, që punojnë në televizion, që dëshirojnë ta bëjnë këtë. Ka shumë që nuk duan ta bëjnë këtë, që kanë mbyllur gojën. Nuk ka qenë dhe as është qëllimi im për të shkaktuar nuanca dhe për të thënë që unë jam interesant, Absolutisht jo, nuk është ky qëllimi im”.

A ka ndikim në këtë qëndrim tëndin televizioni ku ti punon, duke patur parasysh edhe luftën e hapur të “Top Channel” e “Digitalb” me “Agon Channel”?

“Jo, sepse nëse do të kishte shtysë do ta bëja më përpara. Kur u bë lufta e madhe mes institucioneve mediatike, mund të kisha hyrë unë në lojë. Absolutisht jo. Ka qenë krejtësisht jashtë interesit tim dhe është sot e kësaj dite. Njeriu që bën lojën e të tjerëve është bythëlëpirës, njeriu që është i keqpërdorur, njeriu që është legen ose zagar, siç shprehen shqiptarët rëndomë për gjithçka e për çdo gjë, ka mundësi ta bëjë atë gjithë jetën. Nuk kontrollohet dot. Jo vetëm që për mua janë të shenjtë integriteti dhe struktura, por nuk harroj asnjëherë që jam aty në interes të një grupimi njerëzish, të cilët duan të dëgjojnë një frazë të shëndetshme e me përmbajtje dhe u lë atyre të drejtën të mendojnë çfarë të duan dhe të marrin vendim çfarë të duan, të tregohen indiferent nëse duan, duartrokasin nëse rrjeti me 25 kanale i kalon cilësdo platformë dhe ajo bëhet me 50, që rriten çmimet. Këtu ka një gjë që duhet ta them. Shqipëria dhe shqiptarët kanë prodhuar diktatura të tmerrshme, kanë prodhuar neodiktatura. Kemi patur kryeministra neodiktatorial, para dhe pas ’90-s, të cilët e kanë shtypur me këmbë jetën psiko-emocionale dhe të përmbajtjes së një popullate, e cila është e lodhur dhe tani gati-gati po merret me gjëra sipërfaqësore dhe nuk po analizon më për mijëra arsye. Unë emra nuk mund të them, por mund të them që ka edhe televizione diktatoriale, jo në interes publik, të cilat po të fuqizohen në mënyrë monopolistike mund të bëhen të rrezikshme. Unë kam qenë kundër Enver Hoxhës, kam mbajtur qendrime të forta kundër performancës së Partisë Demokratike të zotit Berisha. Jam i gatshëm ta hap pallën nga mëngjesi në darkë për performancën e kryeministrit Rama dhe të Partisë së tij Socialiste. Padyshim që nuk mund të jem i pandjeshëm dhe padyshim që do të flasë, sepse e kam të drejtën të flasë, kam një televizion dhe një program në dorë, ndaj çdo individi, institucioni mediatik ose jo, që ka predispozitë diktatoriale. Pra që nuk pyet për ndjeshmëritë e tua, të manipulon sensin e analizës, të shet sapunin për djathë, të jep një peshë të përditshme duke të bombarduar me sensacion, me lajmin të servirur sipas mënyrës së tyre, ku injoranca shpesh martohet me arrogancën. Për këto gjëra do të flasim. Sikur “Agon Channel” të bëhej kështu, unë do ta filloja programin tim një ditë, duke thënë që kjo ka ndodhur dhe po atë ditë do të merrja leckat dhe do të ikja në shtëpi për të thënë: Stop. Në këtë sens, “Agon Channel” ka luftën e tij dhe shumë mirë e bën që e zhvillon. Nëse ka një kauzë për të mbrojtur “Agon Channel” ose të gjithë televizionet e kësaj bote, jemi këtu në një kapitalizëm agresiv dhe skandaloz, nëse është puna për të luftuar, atëherë dy duar për një kokë dhe le të luftojë secili dhe të mbrohen ata që duhet të mbrohen”.

Po interesi i publikut?

“Interesi i publikut duhet të jetë primar, me një publik të ndjeshëm, i cili duhet të jetë i vëmendshëm dhe vetë duhet ta shohë me shumë realizëm interesin e tij”.

E dimë ne çfarë është interesi i publikut, pasi kemi një publik të ndarë dhe tejet të politizuar?

“Jemi duke folur për një marrëdhënie të komplikuar të stacioneve televizive, ku publiku bëhet pa dashur pjesë. Unë e përsëris, sepse dua t’i jap rëndësi: Publiku mund të marrë deri një vendim ekzistencial për të bërë divorc me stacionet televizive. Klishet e marrëdhënieve që mund të vazhdojnë për inerci 10 vjet, sepse kështu jemi mësuar, ngaqë e kam nr.6 në televizor dhe dua ta hap, duhet të ndryshojnë. Publiku ynë në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90 ishin njerëz, të cilët kishin patur një edukim të shkëlqyer shkollor, të vërtetë. Ishin njerëz që kishin parë stacionet televizive italiane ose të vendeve fqinje. Ai publik vlerësonte faktin dhe interpretimin, nuancat e të folurës dhe këndvështrimet. Ishte një publik me peshë dhe sot ky publik duhet të rigjejë vetveten, duke mos bërë sipërfaqësorin dhe thashethemaxhiun”.

Si janë marrëdhëniet e tua me “Top Channel”, ku t’i ke punuar? Pse ike nga ai televizion?

“Asgjë që ka ndodhur në marrëdhëniet e mia me institucionet ku kam punuar apo punoj nuk ka qenë realisht spektakolare. Unë jam pak natyrë e vështirë, kam dëshirë të më lejojnë ta bëjë televizionin sipas mënyrës sime dhe kam patur me “Top Channel” një bashkëpunim të mrekullueshëm. Kemi bërë disa cikle të rëndësishëm dhe të mirë, që kanë shkëlqyer dhe unë kam patur një marrëdhënie preferenciale të pabërtitur me pronarin e “Top Channel”, zotin Hoxha. Ka qenë një djalë me një pasion të rrallë, që në një sens kanë ngjashmërira me Vajdin Lamen, me Ylli Ndroqin, me Beketin e “Agon Channel” dhe me Sandrin (Klan). Kanë pasion për të bërë televizion. Tani e ka kuptuar natyrën time. Në atë kohë ai ishte pak mosbesues me ata që kishte poshtë, pa menduar kurrë që do të bënte një largim aq traumatik nga jeta dhe pikërisht ata që i shihte me një mosbesim për nivelin kulturor, do të merrnin në dorë frenat dhe do të drejtonin televizionin. Por unë personalisht kam bërë një punë të shkëlqyer në “Top Channel” dhe e vlerësoj marrëdhënien e shëndetshme. Në momentin që ti nuk je në gjendje të japësh më të mirën tënde dhe e kupton që duhet një fillim i ri dhe përdor terminologjinë elegante që “për arsye personale dua të largohem”, në përgjithësi “Top”-i ka bërë në lëmin e sjelljes njerëzore, një sjellje përgjithësisht korrekte me mua. Me përjashtim të faktit që ata, si largimi i parë i madh i njerëzve që punojnë aty, nuk e gëlltitën dot dhe kjo tregon që Tani kishte të drejtë në raport me pritshmëritë e tij brenda televizionit. Ata bënë një padi të thyerje të kontratës, që unë mendoj se shkoi ekzaktësisht siç ishte parashikuar. Ata kërkuan që unë të paguaja një dëmshpërblim për rrogën vjetore, ndërsa gjykata mendoi që unë duhet të paguaja një rrogë javore për prishjen e kontratës. Gjykoj që gjykata ka treguar një realizëm të mirë, ndaj beteja ligjore vazhdon”.

Lajme të ngjashme

Back to top button