Shpresë për avionin e humbur, zbulohen sinjale të kutisë së zezë

Një anije australiane ka zbuluar sinjale të cilat përputhen me atë të një kutie të zezë, duke rritur shpresat për zbulimin e misterit të avionit malajzian të zhdukur më tetë Mars.

Anija “Ocean Shield” ka  kapur dy sinjale, një herë për më shumë se dy orë, tha Angus Houston, shefi i operacionit të kërkimit. Houston tha se sinjalet janë zbuluar duke përdorur aparaturat lokalizuese, në një zonë rreth 1.040 milje në veri – perëndim të qytetit australian të Perth. Sipas tij, këto sinjale janë shumë premtuese për të zbardhur atë që ka ndodhur me avionin e “Malezia Airlines”. Por gjithsesi, ai tha se është e nevojshmë për më shumë të dhëna për arritjen në një konkluzion, duke shtuar se kemi nevojë për konfirmim të mëtejshëm .

Ministri i Transportit malajzian, Hishammuddin Hussein, tha se ai është informuar nga Houston dhe se kishte shumë shpresë se do të ketë një zhvillim pozitiv në ditët e ardhshme ose në orët që do të vijnë” . Operacionet e kërkimit janë në garë me kohën, pasi bateritë e regjistruesit të avionit janë afër skadencës, që do të thotë se sinjalet nuk mund të diktohen nëse kjo ndodh. Gjithashtu sinjale ka dëgjuar edhe një anije kineze, por më të shkurtra se këto të anijeve australiane. Këto sinjale po hetohen me ndihmën e një anije detare britanike, e cila është e pajisur me pajisje të sofistikuara lokalizuese.

Gjithsesi, deri tani nuk ka pasur asnjë provë konkrete për të vërtetuar atë që ka ndodhur me avionin e humbur malajzian, edhe pse që nga zhdukja e tij, disa herë janë ngritur hipoteza të ndryshme. Të gjitha kanë rënë, edhe mbetjet e gjetura shumëngjyrëshe rritën shpresat për zbulimin e avionit, por pas analizave mbetjet nuk kishin të bënin me avionin misterioz.

Autoritetet malajziane kanë deklaruar se avioni ka rënë në oqeanin Indian, në bazë të të dhënave satelitore. Gjithsesi, nuk është zbuluar ende pse avioni ka ndërruar drejtim, pavarësisht hetimeve të ekuipazhit dhe pasagjerëve.

Avioni me 239 persona në bord, i cili u nis nga Kuala Lampur drejt Pekinit humbi gjurmët më 8 mars./ Ora News/

Lajme të ngjashme

Back to top button