A mund të krahasohet Qeveria e Maqedonisë me atë të Belgjikës?

Përderisa bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së po zhvillohen nëpërmjet përfaqësuesve lidhur me negociatat për formimin e qeverisë, nga kjo e dyta nuk përjashtohet mundësia që qeveria të mos formohet fare. BDI përmendi ‘skenarin belg’, me të cilin nënkuptohet rasti i Belgjikës, e cila për 479 ditë ishte pa qeveri. Por sa mund të ndodh kjo në Maqedoni, analistët vlerësojnë që një krahasim i tillë as që mund të bëhet, shkruan Portalb.mk.

Nëse duam shtet demokratik patjetër të formohet Qeveri e re

Profesori universitar Mersim Maksuti thotë për Portalb.mk. se Belgjika është shumë largë Maqedonisë, e cila ka kusht formimin e qeverisë për vendosjen e ligjit dhe demokracise, kurse ajo e para veç se është shtet demokratik.

“Zvarritja e formimit të qeverisë nga ana e BDI vjen si rezultat i zbrazëtirës juridike në Kushtetutën e Maqedonisë, e cila nuk parashikon afat kushtetues deri kur duhet patjetër të arrihet formimi i qeverisë pas mbledhjes konstituive të Kuvendit. Mos formimi i qeverisë në Maqedoni nuk mund të krahasohet me mos formimin e qeverisë rreth dy vite në Belgjike, ngase Belgjika është një vend me demokraci dhe institucione demokratike të konsoliduara që aspak nuk paraqet vështirësi në jetën e atij vendi, ndërsa Maqedonia e ka kusht formimin e qeverisë së re për vendosjen e ligjit, demokracisë, dhe bërjen e reformave tash të kërkuara nga komisioni evropian në rrugën e Maqedonisë ne anëtarësimin e saj në këtë union!”, tha për Portalb Maksuti.

Koha që po skadon për formimin e Qeverisë është e tëpërt

Eksperti juridik Osman Kadriu thotë për Portalb se Maqedonia është në krizë të thellë politika e cila nuk mund të zgjidhet ndryshe, përveç se me formimin e qeverisë së re.

“Është e palogjikshme të krahasohet Belgjika me Maqedoninë, duke pas parasysh që Belgjika ishte gati dy vjet pa qeveri dhe gjithçka ishte në rregull, kurse te neve situata është shumë e ndërlikuar. Maqedonia është në një krizë të thellë politike dhe kjo krizë ishte ajo që determinoi që të lidhet marrëveshja e Përzhinos nga e cila u caktuan zgjedhjet si e vetmja mënyrë për dalje nga kriza politike, me ç’rast formimi i ri i parlamentit dhe po ashtu i qeverisë nuk mund të diskutohet fare për prolongim, përkundrazi qeveria duhet të zgjidhet sa më shpejtë. Kjo kohë që ka skaduar deri tash pas zgjedhjeve parlamentare është e tepërt, është dashur të zgjidhet edhe në rrethin e parë, kur mandatin e fitoi Gruevski kurse tani në këtë rrethin e dytë duhet d.m.th. përsëri të mbrohen dhe të ruhen afatet të cilat kushtetuta nuk i përcakton por duhen të jenë të ngjashme me ato të rrethit të parë, që d.m.th. 10-20 ditë të krijohet qeveri e re. Nëse kjo nuk ndodh edhe në këtë periudhë kohore, atëherë Maqedonia futet në një krizë të thellë parlamentare dhe qeveritare. Kriza në Maqedoni vetëm thellohet duke qenë se ajo nuk lejon parlamentin”, thotë për Portalb.mk. Kadriu.

Për formimin e Qeverisë nevojitet kohë pasi bëhet fjalë për kualitet, e jo për shpejtësi

Profesori universitar, Jeton Shasivari thotë për Portalb se është e qartë se, procesi i formimit të qeverisë së re pas rezultateve të ngushta zgjedhore të 11 dhjetorit, pra, me rezultate pa fitues të qartë të zgjedhjeve, vetvetiu po kërkon një kornizë afatgjate kohore sepse për herë të parë në vendin tonë pas pavarësimit, çështja e formimit të qeverisë paraqitet si një çështje komplekse që është tipike për një shtet multietnik dhe multikulturor.

“Procesi i formimit të shumicës parlamentare do të varet nga harmonizimi i qëndrimeve të partive politike të kyçura në këtë proces për arritjen e marrëveshjes eventuale për koalicionimin, me ç’rast zakonisht në praktikën politike sa më rëndë dhe sa më gjatë që të arrihet marrëveshja për koalicionin qeverisës, aq më jetëgjate dhe stabile do të jetë edhe shumica e re parlamentare, pra qeveria, edhe pse kjo nuk domethënë se ajo do të jetë edhe efikase. Mirëpo, ajo që e vështirëson këtë proces, është fakti se, harmonizimi i qëndrimeve të partive politike rreth qeverisë së re bëhet sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare që dihen, por sipas parashikimit të rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme lokale që nuk dihen. Andaj, edhe eurokomisari Han i vetëdishëm për këtë fakt, pas takimit me partitë politike, u angazhua për më shumë kohë për qeverinë e re, duke u shprehur se, bëhet fjalë për kualitet, e jo për shpejtësi”, tha për Portalb.mk. Shasivari.

Gjithashtu edhe Eurokomisari Johanes Han i cili javën e kaluar vizitoi Maqedoninë dhe u takua me liderët e partive politike tha se të gjitha partitë politike në Maqedoni janë përgjegjëse për gjendjen politike, dhe sa më shpejtë që formohet Qeveria, aq më mirë është përcjell Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button