Demiri, Murati e Sali shtetas të Shqipërisë, së shpejti edhe Nexhipi

Që pas ndeshjes me Besën, Partizani do të ketë më pak probleme me numrin e të huajve, pasi dy prej lojtarëve shqiptarë që vijnë nga Maqedonia janë pajisur me pasaportë shqiptare.

Mevlan Murati dhe Ertan Demiri, pas disa muajsh pritje, më në fund janë pajisur me pasaportë shqiptare, kështu që ata u hapin rrugë edhe lojtarëve të tjerë të huaj që të aktivizohen nga trajneri Sampaio. Mësohet se, përveç Demirit dhe Muratit, me pasaportë shqiptare është pajisur edhe Ersen Sali, i cili nuk ndodhet më në ekip. Sulmuesi mbërriti i pari tek të kuqtë në merkaton e dimrit, por nuk arriti të tregonte veten, pasi më shumë ishte i dëmtuar. Për largimin e tij u tha se është i dëmtuar dhe u largua për fazë riaftësuese në Maqedoni.

Për këtë rast ka pasur edhe zëra që kishin të bënin me një zgjidhje kontrate, porse nuk është konfirmuar nga asnjëra palë, lojtar-klub. Pajisja me pasaportë shqiptare nga ana e Demirit dhe Muratit është një lajm i mirë për Partizanin, sepse, ndonëse ishin shqiptarë, llogariteshin si të huaj.

Shpresohet që fatin e kësaj dysheje ta ketë shumë shpejt edhe Nderim Nexhipi, i cili erdhi më vonë tek të kuqtë. Gjatë javës së ardhshme Demiri dhe Murati do të pajisen me një kartë të re federimi, duke mos u llogaritur më si futbollistë të huaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button