Rama në Vlorë: Shqipëria lëngon sot mes plehrave, do të bëjmë progres

Kështu është shprehur, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili ndodhet në qytetin e Vlorës në ceremoninë  e organizuar në teatrin “Petro Marko”.

Të pranishëm janë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, por edhe prefektja e re e Vlorës, e cila do të zëvendësojë në këtë post prefektin e mëparshëm Besnik Dervishi.

Në fjalën e tij kryeministri Rama garantoi se, qeveria do e mbështesë duke i përcjellë dhe urimin të bënte të paktën gjysmën e atyre që deklaroi. 

“E përgëzoj prefekten për qartësinë dhe vendosmërinë me të cilët paraqiti para jush dhe përpara opinionit publik kuptimin e saj për detyrën jashtëzakonisht të rëndësishme që ka marrë përsipër. Nuk mund veçse t’i uroj që gjysmën e tyre që tha t`i bëj realitet dhe jam i sigurt se nëse ndodh kjo diçka shumë e rëndësishme do të ndryshojë për institucionin e prefektit në marrëdhëniet me qytetarët”, – tha Rama.

Gjithashtu, kryeministri premtoi se qeveria do të realizojë të gjitha premtimet duke bërë edhe ndryshimin e madh për vendin.

“Do të realizojmë ndryshimin që njerëzit kërkuan në 23 qershor që padyshim nuk është ndryshimi i një ngjyre me një tjetër por ndryshimi i vendit, ndryshimi i modelit qeverisës, i marrëdhënieve mes individit dhe shtetit ,dhe cilësisë së jetës. Është një proces që pa pikë dyshimi është shumë i vështirë  dhe që do të ketë hatërmbetje apo gabime por ne duhet të kem aftësinë të vetëkorigjojmë gjithçka që gjatë rrugës nuk shkon siç duhet.  Dhe duhet të kemi kurajën që të shikojmë përpara dhe të ecim shpejt e më shpejt për ta bërë realitet rilindjen që Shqipëria kërkon, rilindjen që ne u zotuam dhe që Vlora dhe vlonjatet meritojnë. Kemi filluar një punë të gjithanshme për të realizuar një e nga një, hap pas hapi zotimet tona dhe unë jam besimplotë që ne do ti mbajmë premtimet dhe ne do ta ndryshojmë cilësisht jetesën e njerëzve në këtë vend. Në radhë të parë duke vendosur në vend dinjitetin e qytetarit në raport me shtetin, duke vendosur shtetin dhe institucionet aty ku u takon në raport me qytetarin dhe duke transformuar shërbimet tona publike në shërbime gjithmonë e më cilësore dhe transparente, duke i mbajtur ato gjithmonë e më larg korrupsionit dhe zvarritjeve që u kanë marrë shpirtin shqiptarëve në çdo cep të vendit”, – përfundoi Rama.

Ndërsa ministri Tahiri e cilësoi si të domosdoshëm reformimin e institucionit të prefektit. 

“Ky është një moment për të ritheksuar prioritet e qeverisë të cilat janë ndjekur nga Besniku dhe që me më shumë kujdes do ndiqen nga Etjona. Unë ndaj bindjen se në vetvete institucioni i prefektit duhet reformuar në pikëpamje të kompetencës, përgjegjësive, të ushtrimit të detyrës, në pikëpamje të përfaqësimit të qeverisë, të ndjekjes së prioriteteve, të koordinimit dhe të harmonisë mes përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe atyre qendrore në çdo qark. Qeverisje sa më afër qytetarëve dhe shërbime inovative për t`i dhënë në radhë të parë siguri qytetarëve, për shërbime dhe modernizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe progresin e sipërmarrjes në shoqëri. Por patjetër në momentin kur reforma administrative të bëhet realitet mbetet në dorën e prefekti të ushtrojë përgjegjësi në mënyrë më përparimtare të mundshme duke garantuar që shërbimi i prefekturës të jetë sa më pranë qytetarëve” – tha Tahiri./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button