Ja votuesit që ngjallin më shumë interes te partitë

Sipas anketave të ndryshme të realizuara gjatë fushatës zgjedhore, por edhe nga ciklet e kaluara zgjedhore, numri i votuesve të papërcaktuar në Maqedoni vazhdon të rritet. 
 
Numri i tyre sipas një ankete të publikuar ditë më parë arrin në rreth 38 për qind, ndërsa kësaj përqindjeje i shtohet numri i atyre që thonë se nuk do të votojnë, rezulton se mbi rreth 50 për qind e qytetareve ende kanë dilema nëse do të dalin në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit apo në ato parlamentare të parapara për dy javë më vonë, më 27 prill.
 
Njohësit e çështjeve politike thonë se partitë shumë pak punojnë për tërheqjen e elektoratit të papërcaktuar, me përjashtim të opozitës maqedonase, transmeton Radio Evropa e Lirë.
 
“LSDM-ja në raport me VMRO DPMNE-në ka numër më të vogël të votuesve besnikë, andaj nëse dëshiron të fitojë në zgjedhje, ajo duhet të tërheqë edhe votat e të papërcaktuarve që janë të konsiderueshme”.

“Hapin e parë ajo tashmë e ka bërë me caktimin e kandidatëve krejtësisht të rinj, për të cilët opinioni nuk ka ndonjë qëndrim negativ. Por, kjo parti duhet të ketë kujdes që të mos humbë elektoratin tradicional pasi fushatën për president kandidati i saj e zhvillon pa mbështetjen e partisë. Ndoshta në rastin konkret do të ishte mirë të zhvillonte një fushatë të kombinuar zgjedhore”, thotë Savevski.
 
Edhe analisti Ibrahim Mehmeti thotë se për dallim nga LSDM-ja, asnjëra nga partitë tjera politike sikur nuk është e interesuar për të tërhequr votuesit e papërcaktuar.
 
“Kjo është një risi, edhe pse ndoshta nuk është hera e parë që të kemi një qasje të tillë, por me këtë rast duket qartë se Stevo Pendarovski po arrin të ndërtojë një pozicion mjaft të pavarur nga fushatat e partive, qoftë edhe të atyre që e përkrahin. Kjo mendoj se është një indikator i mirë dhe do të shihet se si do të reflektohet në fushatën në fushatën e përgjithshme, por edhe në të ardhmen”, vlerëson Mehmeti.
 
Ndërkohë, sa i përket partive tjera, VMRO DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski, më tepër është e përcaktuar për ruajtjen e trupit të saj votues, thotë analisti Zdravko Savevski.
 
“VMRO DPMNE-ja po zhvillon një fushatë zgjedhore klasike, e cila më tepër është e motivuar në ruajtjen e trupit votues. Sa i përket të papërcaktuarve, ajo është e interesuar që kjo pjesë votuesve nëse nuk votojnë për të, të paktën të mos votojnë edhe për opozitën, pra të vazhdojë të jetë e papërcaktuar. Por, sidoqoftë mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim”, shton Savevski.
 
Sa i përket votuesve shqiptarë, analisti Ibrahim Mehmeti thotë se partitë shqiptare me veprimet e deritashme nuk kanë dëshmuar se punojnë për tërheqjen e të papërcaktuarve, përkundrazi, ato sipas tij, më tepër punojnë që të pëlqehen nga partitë maqedonase që do të jenë bartëse të pushtetit sesa të ofrojnë programe tërheqëse për votuesit e papërcaktuar.
 
“Partitë shqiptare më tepër kujdesen që të ndërtojnë pozicione ndaj partnerëve të mundshëm nga blloku maqedonas duke llogaritur në pjesëmarrjen e tyre në qeveri. Për këtë arsyeje ata nuk përqendrohen aq shumë në promovimin e programeve apo ideve të reja, të cilat do të tërhiqnin votuesit shqiptarë, sepse edhe ata vetë e kanë të qartë se nuk arrijnë të krijojnë pozicion, i cili do të mundësonte që idetë e tyre në fund edhe të realizohen. Prandaj, derisa nuk gjejnë forcë për të ndërtuar pozicionin e tyre, që të jetë më stabil dhe më i fortë, ata po bëjnë gara mes veti se cili do të jetë më i pranueshëm për partnerin maqedonas”, vlerëson Mehmeti.
 
Në zgjedhjet lokale të një vitit më parë, dalja e shqiptareve në votime nuk ka arritur as në 50 për qind dhe kjo rënie, sipas analistëve, mund të vazhdojë edhe në zgjedhjet e tashme presidenciale dhe ato parlamentare.

Lajme të ngjashme

Back to top button