Arifi: Ne mirëmbajmë rrugët sipas planit, RDSH të mos hedh letra nëpër qytet

Komuna e Tetovës, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga RDSH-ja, se ajo nuk ka mbajtur premtimin për infrastrukturën rrugore të qytetit. 

Në reagimin e komunës thuhet se në vitin me të rëndë financiar 2013 që ka ardhur si pasojë e borxheve të trashëguara janë arnuar prej 80 % të gropave të rrugëve në qytetin e Tetovës, është rindërtuar dhe asfaltuar duke u përmbajtur standardeve më të larta të cilësisë bulevardi kryesor Iliria ku kanë qenë të pranishme një numër i madh i gropave, janë hequr terasat e lokaleve dhe janë çliruar hapësirat publike përreth për tua kthyer qytetarëve trotuaret dhe hapësirat e gjelbra në dy anët e bulevardit.

“Po ashtu kemi përfunduar rikonstruimin dhe asfaltimin e rrugës Jashtë Vardarit, ndërtuam rrugë për nxënësit e Brodecit, rrugë që shpien popullatën e Shipkovicës në zonën ku mblidhen boronicat, sanuam gropat prej rrugës së Kodrës së diellit deri në fshat, kemi sanuar dhe ndërtuam rrugën me begatona në fshatin Gajre, ndërtuam kanalin për ujitje në Reçicë, kanalizimin në rrugë të ndryshme të qytetit”, thuhet në reagimin e komunës së Tetovës.

Komuna e Tetovës, premton se në vitin 2014 me dinamikë të njëjtë do të vazhdohet në përmirësimin e  infrastrukturës rrugore duke ju dhënë përparësi rrugëve më të frekuentuara.

“Punët në drejtim të përmirësimit të gjendjes së infrastrukturës rrugore në qytet zhvillohen sipas planit të përcaktuar të punës në korniza të këtij mandati qeverisës dhe jo lagjes ku gjendet shtëpia e kryetarit të komunës .Të vetëdijshëm për rëndësinë e rruajtjes së pastërtisë së qytetit NPK rregullisht do të vazhdojë ti grumbullojë mbeturinat, ti fshijë dhe ti lajë rrugët e qytetit prandaj lusim anëtarët e Rinisë Demokratike Shqiptare të tregojnë kulturë elementare dhe sjellje qytetare duke mos hedhur letra në rrugët e qytetit”, thuhet në reagimin e komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button