KSHZ zbulon votuesit e Pustecit, ua merr të drejtën e votimit

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në seancën e mbrëmshme ka rrëzuar 639 fletëparaqitje të banorëve të Pustecit për votim në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, njofton Alsat. Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi, në një deklaratë për Alsat ka bërë të ditur se bëhet fjalë për persona të cilët në pasaportat biometrike të Maqedonisë, kanë si adresë të vendbanimit të tyre, Shqipërinë, ndërkaq në regjistrin zgjedhor, vendbanimi i tyre figuron të jetë në Maqedoni.

“639 fletëparaqitje që janë paraqitur të votojnë në Tiranë, konstatuam se në fotokopjet që kanë dërguar në fletëparaqitje janë dokumente biometrike të Maqedonisë por me adresë të vendbanimit në Shqipëri. Nga kjo ne konstatuam se ata që janë të evidentuar në regjistrin zgjedhor tek ne dhe dokumentacioni që është dhënë nga MPB nuk përputhen të dhënat”, është shprehur Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Jakupi ka shtuar se fakti që këta persona gjenden në regjistrin zgjedhor ngre dyshime se këta persona posedojnë letërnjoftime me vendbanim në Maqedoni.

Megjithatë, këtë vendim të KSHZ-së, banorët e Pustecit mund ta ankimojnë brenda 24 orësh pranë Gjykatës Administrative, e cila do të jap fjalën e fundit, nëse këto persona do të mund të votojnë apo jo në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë.

Lajme të ngjashme

Back to top button