Premtimet e kandidatëve, një tregim përrallor

Fushata e kandidatëve presidencial, është shndërruar në një betejë, akuzash dhe premtimesh që kalojnë limitet e kompetencave të presidentit. 

Java e parë e fushatës elektorale të kandidatëve për president shteti, vlerësohet kryesisht negative nga njohësit e çështjeve politike. 

Retorika politike elektorale e kandidatëve presidencial, përmbledh çështjet ekonomike, arsimore, duke kaluar edhe çështjet e subvencionimit të bujqësisë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Njohësit e rrethanave politike thonë se premtimet e tyre që nuk kanë të bëjnë me kompetencat kushtetuese të presidentit, lënë nën hije çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme, proceset integruese dhe gjithë detyrimet që korrespondojnë me postin e presidentit të shtetit.

Sasho Klekovski, analist dhe përfaqësues i qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, thotë se kandidatët duhet të përqendrohet para së gjithash në çështjet që janë në kompetencë të tyre, si politika e jashtme, aspektet euro-integruese që të mund elektorati të vendosë se për cilin nga kandidatët do të përcaktohet, transmeton Radio Evropa e Lirë. 

“Gjithsesi se kandidatët garën e kanë filluar me një fushatë elektorale negative, por ajo nuk ka nisur nga vetë ata, por nga personalitete tjera apo nga shtabet e partive që përfaqësojnë. Veç kësaj, kandidatët gjatë tubimeve me elektoratin, merren edhe me çështje që aspak nuk kanë të bëjnë me kompetencat e tyre”.

“Ata trajnojnë edhe çështje ekonomike, ulje të tatimeve e kështu me radhë. Por, shpresoj se fushata do të marrë dimensione tjera, pra ashtu edhe siç duhet të jetë që kandidatët të përqendrohen në agjendat e tyre, apo në çështjet që kanë të bëjnë me kompetencat e presidentit të shtetit si politika e jashtme, çështjet euro-integruese e kështu me radhë”, thotë Klekovski.

Ndërkohë, Arsim Sinani, analist dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se fushata elektorale e kandidatëve për president dëshmon se në Maqedoni ende nuk ka demokraci të mirëfilltë dhe programe zgjedhore joshëse për elektoratin.

“Fushata presidenciale në Maqedoni nga ajo që kemi parë deri më tani më shumë i ngjason një fushate për zgjedhjet lokale. Mendoj se kjo dëshmon se demokracia në Maqedoni është e kontrolluar dhe në një pozitë të palakmueshme për shkak se është evidente se presidenti në Maqedoni do të mbetet në figurë kukull”, thotë Sinani.

Veç mungesës së platformave zgjedhore reale, ciklet zgjedhore në Maqedoni po zhvillohen edhe pa debate apo përballje mes kandidatëve qoftë për zgjedhjet presidenciale apo për ato parlamentare.
 
Analisti Sinani thotë se kjo është një boshllëk shumë i madh demokratik, por edhe privim i qytetarëve nga e drejta për të dëgjuar nga afër ata, për të cilët duhet të votojnë. Fajin kryesor për këtë ia hedh kandidatit që aktualisht ushtron postin e presidentit.

Lajme të ngjashme

Back to top button