Edhe një fitore e hendbollisteve nga Çairi

Ka vazhduar paraqitja e suksesshme vashave të klubit hendbollistik Çair, që këtë sezon pranveror e ka filluar në mënyrën më të mirë duke vazhduar me fitore të një pas njëshme. Suksesi i radhës që ka shënuar Çairi me trajnerin Mia Islami, është fitorja ndaj skuadrës së Kërçovës, të cilën e kanë fituar me rezultat 33:30.

Trajnerja Mia Islami është ndarë shumë e kënaqur nga loja e vajzave të saja, të cilat po dëshmojnë se jo rastësisht janë në mesin e më të mirave në Ligën e Parë.
“Të them të drejtën jam shumë e kënaqur nga loja që kemi treguar ndaj Kërçovës, e cila është skuadër e fortë. Kemi vazhduar të mbajmë një ritëm të mirë, nga tri ndeshje tri fitore dhe synojmë të vazhdojmë kështu edhe në paraqitjet e radhës”, ka thënë trajnerja Islami. 

Edhe në këtë ndeshje ka pasur paraqitje të mrekullueshme të të gjitha vashave, por me më shumë gola është paraqitur Ema Drpljanin me 9 gola, pastaj Melisa Ajdini me 6 gola, ndërsa është për tu përmendur rasti për takenten e re Leonora Rrahmani e cila ka shënuar plot 6 gola. 

Ndeshjen e radhës KH Çairi do ta luajë kundër skuadrës së Probishtipit, ndërsa edhe për këtë përballje trajnerja Mia Islami shpreson që do të shënojë fitore, pasi që në duelin e parë të zhvilluar në Çair, kishin fituar me 16 gola diferencë. / Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button