Shkup, banesave shtetërore do t’u bjerë çmimi!

Sipas prognozave të janarit, këtë vit është planifikuar ndërtimi i 632 ndërtesave të reja. Menaxherët nga biznesi i ndërtimit thonë se oferta edhe më tej është dukshëm më e madhe se sa kërkesa. Kjo është nga arsyet për rënien e mëtutjeshme të çmimit të metrit katror të hapësirës së banesave. Por, ndikim plotësues do të ketë edhe paralajmërimi për zvogëlimin e çmimit të banesave shtetërore që u bë nga Ndërmarrja publike për ekonomizim me hapësirë banesore dhe afariste. Çmimet e ulëta që i dikton shteti nëpërmjet kësaj ndërmarrjeje, sipas biznesmenëve nga sektori afarist, në mënyrë plotësuese mund ta zvogëlojnë kërkesën, për shkak se qytetarët do të presin zvogëlim të mëtutjeshëm të çmimeve.

Oferta për banesa është më e madhe se sa kërkesa!
Harxhimet rriten, ndërsa çmimet për metër katror të banesave zvogëlohen. Sipas të dhënave statistikore që janë në dispozicion, çmimi mesatar i banesave vitin e kaluar ka qenë 761,3 euro për një metër katror. Në krahasim me vitin 2012, çmimi është zvogëluar për 6,2 përqind. Ndërtimtarët pranojnë se harxhimet rriten, por edhe se zvogëlimi i mëtutjeshëm i çmimeve do të reflektohet edhe mbi ekonominë e përgjithshme, por edhe mbi qytetarët, veçanërisht ata që kanë marrë kredi banesore për të blerë ndonjë patundshmëri.

“Qëndrimi ynë është të mos promovohet zvogëlimi i menjëhershëm i çmimit të patundshmërive, për shkak se një veprim i tillë mund të ketë pasoja negative mbi gjithë ekonominë. Kjo do të ishte porosi e keqe edhe për investitorët e vendit edhe për ata të huaj nga ky biznes, e poashtu edhe për ata që tashmë kanë blerë banesë, veçanërisht nëse për këtë kanë marrë kredi. Kjo do të thotë se nëse zvogëlohet menjëherë çmimi i banesave e dikush ka blerë banesë me kredi bankare, ai automatikisht humb nga vlera e patundshmërisë të cilën e ka paguar me çmim më të lartë.” – thotë Seat Kuçan, biznesmen dhe kryetar i Odës për ndërtimtari pranë Lidhjes së Odave ekonomike.

Sipas të dhënave, në janar të këtij viti parashihet ndërtimi i 632 ndërtesave të reja, prej të cilave 184 do të ndërtohen nga persona fizikë ndërsa 448 të tjerat nga subjekte afariste. Vlera e përgjithshme vlerësohet në rreth 40 milionë euro. Sipas numrit të ndërtesave të planifikuara për ndërtim, në vend të parë është Shkupi, pastaj rajoni i Vardarit, i jugperëndimor dhe në vend të katërt është rajoni i Pollogut.

Ja se në cilat qytete dhe komuna më të mëdha, sa ndërtesa planifikohen të ndërtohen:
Strugë        30
Dibër          20
Kumanovë 12
Manastir    10
Gostivar    7

Në rajonin e Shkupit planifikohet ndërtimi i gjithsej 508 banesave, prej të cilëve pjesa më e madhe në komunën e Aerodromit – 371, pastaj në Karposh 82 ndërtesa dhe në Qendër 17 ndërtesa. Sipas planit, ndërtesa do të ndërtohen edhe në komunat e tjera si Kisella Vodë, Gazi Babë dhe Butell, por aspak nuk është planifikuar ndërtim në Çair, Saraj, Shuto Orizare, Zelenikovë dhe Studeniçan.

Edhe pse ndërtimi i banesave vazhdon, tregu është i stërngarkuar, veçanërisht në Shkup dhe në Ohër, komentojnë menxherët nga biznesi i ndërtimit. Kërkesa më e madhe se sa oferta ndikon në masë të madhe në rënien e çmimeve.

“Në këtë moment do të thoja se çmimet janë adekuate me kushtet. Të gjitha harxhimet, për materiale, për të punësuarit, për naftë janë llogaritur në çmimin fillestar me të cilin shiten patundshmëritë. Megjithatë, çmimi varet nga gjendja e ofertës dhe kërkesës në treg. Tani kemi gjendje të ofertës më të madhe se sa të kërkesës. Sipas meje, tregu dhe kushtet ekonomike duhe ta krijojnë çmimin e patundshmërive e jo marketingu i fshehur me të cilin promovohen çmimet më të ulëta fillestare dhe me këtë krijohet një pasqyrë joreale për vlerën e patundshmërive. Sipas analizave të fundit, kërkesa për banesa është zvogëluar për 30 për qind ndërsa çmimet janë zvogëluar prej 8% deri në 10%.” – sqaron biznesmeni Koçan.

Në tremujorin e katërt të vitit 2013, harxhimet në ndërtimtari për objektet e reja për banim individual, në krahasim me të dhënat për tremujorin e katërt të vitit 2012 janë më të larta për 1.4%. Harxhimet për materiale janë më të ulëtta për 2.5%, ndërsa harxhimet për të punësuarit janë më të larta për 14.6%, evidenton statistika.

Banesat më të lira shtetërore – goditje për konkurrencën e tregut?
Aksioni për ndërtimin e ndërtesave shtetërore, për grup të ndryshëm të targetit, sipas menaxherëve të biznesit të ndërtimit, kishte pasoja mbi gjithë biznesin. Nga Ndërmarrja publike për ekonomizim me hapësirë banesore dhe afariste (NPEHBA) për këtë vit paralajmëruan zvogëlim të çmimit pët një metër katror të hapësirës banesore për 5 për qind. Menaxhmenti i firmës shtetërore thotë se edhe me këtë zvogëlim të çmimit, çmimet e banesave mbeten të larta. Mohoi se në këtë mënyrë goditen kompanitë private nga biznesi i ndërtimit. Nga ana tjetër, sektori privat alarmon se harxhimet në këtë biznes janë në rritje, ndërsa çmimet aktuale nuk janë të qëndrueshme.

“NPEHBA promovon çmime të ulëta për banesat. Ajo si ndërmarrje ka të drejtë të shesë banesa nëpërmjet ankandeve, me atë që në fillim shpallet çmimi fillestar, i cili gjatë ankandit mund të rritet shumë më tepër.“ – vlerëson biznesmeni Koçan.

Me qëndrim të ngjahsëm doli edhe Zoran Azmanovi, afarist nga sektori i ndërtimtarisë. Sipas Azmanovit, kërkessa për banesa është zvogëluar mu për shkak të paralajmërimeve joreale se dhe këtë viti pritet zvogëlimi i çmimit të banesave.

“Qeveria nuk duhet të ketë tendencë që çmimet e banesave të zvogëlohen, për shkak se kjo mund të ketë ndikim negativ edhe mbi ekonominë edhe mbi sistemin bankar. Deklarata se çmimet do të bien mund të japin vetëm kompanitë siç është SHA për ekonomizim me hapësirën banesore dhe afariste, e cila tokën e merr falas nga shteti. Sikur edhe ato ta blenin tokë në tender ose nga ndonjë investitor privat sikurse që bëjmë ne, atëherë nuk do të japin deklarata të këtilla, për shkak se do të shihni se ky është çmimi real.” – deklaroi Azmanovi.

Vetëm gjatë vitit të kaluar shteti ka ndërtuar ose ka filluar të ndërtojë 653 ndërtesa për shitje komerciale dhe 120 ndërtesa për kategoritë e lëndueshme të qytetarëve. Nga ndërtesat komerciale, 80% tashmë kanë pronar, gjegjësisht janë shitur.

Në këtë moment, sipas analizave, më të ngopura me objekte të reja banesore janë qytetet e Ohrit dhe të Shkupit, ku ka dallim më të madh ndërmjet ofertës dhe kërkesës për banesa. Në Tetovë dhe në Gostivar ndërtohen ndërtesa shtetërore, por atje raporti ndërmjet atyre që shesin dhe atyre që blejnë banesa është optimal.

Në vend, ndërtohen rreth 5000 banesa në vit, sa që sipas vlerësimeve është edhe dallimi ndërmjet kërkesës dhe ofertës. Në tremujorin e fundit ekonomik për vitin 2013, ndërtimtari është njëri nga sektorët që me 32,1 për qind më së shumti ka marrë pjesë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit. Megjithatë, kjo përqindje, kryesisht ka të bëjë me angazhimin e operativës ndërtimore në një pjesë të projekteve infrastrukturore, duke e përfshirë edhe projektin “Shkupi 2014”.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button