BDI: Nuk kërkojmë të jemi vetëm dekor i Qeverisë siç bëri PDSH

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar edhe sot përgjigje nga partia e Thaçit nëse ajo ka ofertë për shqiptarët më 27 prill dhe nëse i tillë tentohet të paraqitet vetëm premtimi për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme.

Kandidatja për deputete e BDI-së në njësinë zgjedhore 2, Shkodrane Dardhishta përmes një konference për shtyp tha sot se partia e saj nuk kërkon të jetë një dekor i qeverisë si që zgjodhi të jetë PDSH në vitet 2006-08. 

“BDI ka qenë gjithmonë, është sot dhe do të mbetet përgjithmonë në aleancë me shqiptarët. Shqiptarët e kanë të qartë që nga viti 2001, kur doli në skenë UÇK-ja, se kush i mbron interesat e tyre, kush lufton dhe kush punon për to. Sot e themi pa asnjë hamendje dhe ballëhapur se ne, votën e shqiptarëve e kërkojmë për shqiptarët. Ne kërkojmë votën e shqiptarëve, për ta kthyer atë me punë dhe me projekte që ndihmojnë zhvillimin, përparimin dhe mirëqenien e tyre. 

Shqiptarët janë njoftuar tashmë me platformën tonë. Ne kemi përgatitur 1081 projekte, që të gjitha, pa përjashtim, në dobi të shqiptarëve. Kjo platformë është dora që u shtrimë ne atyre për të rilidhur në këto zgjedhje aleancën tonë. Ndryshe nga PDSH, ne nuk kërkojmë ndihmën e Gruevskit për t’u bërë pjesë e qeverisë”, tha Dardhishta.
 
“Ne kërkojmë të fitojmë sa më shumë deputetë, për t’i treguar qartë çdokujt që ka pak dyshim se, me shqiptarët nuk mund të manipulojë askush. Ndaj pyesim me të drejtë sot PDSH-në:Çfarë i ka ofruar elektoratit, veç premtimit se pas takimit me shërbimet sekrete, do të jetë pjesë e qeverisë? 

A është oferta e PDSH-së një takim me krerët e shërbimit sekret, një takim me një politikan maqedonas, që, më shumë se për shqiptarët e fare hiç për ta, ka si qëllim të mbrojë e zhvillojë interesat personale e biznesore të Menduh Thaçit? 

Të nderuar, ky është dallimi si dita me natë mes nesh dhe atyre. Këtë dallim shqiptarët dinë ta bëjnë shumë mirë dhe do ta bëjnë më 27 prill. Por dhe më 13 prill, kur shqiptarët do të injorojnë kandidimin e PDSH-së në zgjedhjet presidenciale, për të cilin PDSH nuk ua tha kurrë arsyen e vërtetë. 

Shqiptarët e marrin me mend, megjithatë, por nuk kanë ende përgjigje të saktë, për dilemën: Përse Thaçi e ndryshoi qëndrimin për zgjedhjet presidenciale pas takimit me Mijallkovin?, nënvizoi Shkodrane Dardhishta, kandidatë për deputetë në njësinë zgjedhore 2 nga BDI.

Lajme të ngjashme

Back to top button