Jolevski: Maqedonia ka dhënë kontribut të madh në mbylljen e “Rrugës Ballkanike”

Ministri i Mbrojtjes të Maqedonisë Zoran Jolevski sot ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të vendeve nga Bashkëpunimi i Mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe forumit Salcburg, që mbahet në Vjenë të Austrisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në takimin kushtuar menaxhimit të përbashkët të sfidave migratore, ministri Jolevski theksoi se Republika e Maqedonisë ka dhënë kontribut të madh në mbylljen e “Rrugës Ballkanike” të refugjatëve, ndërsa theksoi se institucionet shtetërore të Maqedonisë reaguan në mënyrë adekuate, efektive dhe të koordinuar, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në këtë kontekst theksoi ndihmën solide të cilën Maqedonia e mori nga Austria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Serbia, si dhe nga vendet të cilat shpërndanë nëpunës të tyre policorë në kufirin verior dhe jugor në mbështetje të policisë së Maqedonisë.

Ministri Jolevski në fjalimin e tij u përqendrua edhe në hapat e ardhshëm të cilat duhet të ndërmerren me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Ne presim se të gjitha masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian, Aleanca e NATO-s dhe shtetet në këtë format, do të japin rezultate të mira. Në këtë kontekst, nga Bashkimi Evropian presim angazhim intensiv dhe lidership”, tha Jolevski.

Ai shtoi se marrëveshja BE-Turqi doemos duhet të respektohet, se ekziston nevoja e avancimit të koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve dhe të dhënave mes vendeve të të ashtuquajturës “Rruga Ballkanike”, ndërsa njëherit se duhet përshpejtuar proceset intergrative të vendeve të rajonit në BE dhe NATO.

“Sfidat e krizës aktuale migratore tregojnë se takimet e këtij formati duhet të bëhen praktikë e rregullt, me pritje që të njëjtat të japin impuls të ri në përforcimin e bashkëpunimit”, tha Jolevski para ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të 14 vendeve të Evropës, përfshirë edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, Agim Nuhiu.

Në fjalimin e tij ministri Nuhiu tha se nëse kriza migratore përsëritet do të nevojitet angazhimi i sërishëm i kapaciteteve të plota shtetërore, sikur gjatë valës së parë, ndërsa ka shumë gjasa edhe angazhimi i kapaciteteve shtesë për parandalimin e kalimit ilegal në kufirin shtetëror.

Ministri Jolevski në margjinat e takimit, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, ka zhvilluar takime bilaterale me ministrin austriak të Mbrojtjes Hans Peter Doskozil.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button