Djali i Gaddafit kërkon falje

Televizioni shtetëror libanez ka transmetuar pamje që tregojnë një nga djemtë e ish-liderit Muammar Gaddafi që i kërkon falje popullit nga burgu. 

“U kërkoj falje qytetarëve libianë për cënimin e sigurisë dhe stabilitetit të Libisë”, deklaroi Saadi Gaddafi. 

Ai u ekstradua në Libi më herët gjatë muajit nga Nigeri, ku ishte arratisur që prej revolucionit të vitit 2011. Ai akuzohet se është përpjekur të shtypë kryengritjen kundër regjimit të të atit. 

40-vjeçari, një nga shtatë djemtë e kolonelit, njihet më tepër për karierën e tij të shkurtër në futbollin italian si dhe për jetën e tij të shthurur. 

Në videon e transmetuar, e xhiruar në burgun e Tripolit, Saadi shfaqet i veshur me një uniformë blu burgu dhe me kokën e qethur zero. 

“I kërkoj falje qytetarëve libianë dhe të gjithë vëllezërve të dashur në qeverinë libiane për dëmin që u kam shkaktuar dhe që kam dëmtuar sigurinë dhe stabilitetin e Libisë”, ka thënë Saadi. 

“E pranoj që të gjitha këto gjëra kanë qenë të gabuara dhe se ne nuk duhet t’i kishim kryer ato veprime”, ka shtuar djali i kolonelit, i cili ka thënë se në burg po trajtohet mirë dhe u ka bërë thirrje atyre që mbajnë ende armë në duar që t’i ulin ato. 

Gjithësesi, rrethanat e xhirimit dhe publikimit të videos mbeten të paqarta. Saadi u arratis përmes shkretëtirës së Saharasë pasi trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit morën nën kontroll Tripolin në gusht të vitit 2011. 

Më herët shteti i Nigerit kishte refuzuar kërkesën e Libisë për ta ekstraduar atë, me pretendimin e ministrit të Drejtësisë se, mund ta dënonin me vdekje. Por në vitin 2012 Interpol lëshoi një “mandat të kuq”, që urdhëronte vendet anëtare ta arrestonin atë. /Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button