fbpx

Kurti: Thaçi e lejoi Tribunalin për interesa personale

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, është pikërisht, kryeministri Thaçi ai i cili për interesa personale, ia hapi dyert krijimit të Tribunalit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Kryeministri i Kosovës, me deklarimin e tij para një muaji e gjysmë në EURONEWS se ka qenë larg fronteve të luftës, pra duke hequr dorë nga luftimet e UÇK-së për interesa të ngushta personale, po e shtron asfaltin për këtë tribunal. Nga deklarata të këtilla që ia heqin mburojën UÇK-së marrin hov idetë për tribunale ndaj Kosovës”, ka thënë Kurti për Gazetën Blic.

I pari i Vetëvendosjes thotë se nuk mund t’i besojnë AAK-së, dhe për atë arsye edhe hezituan ta mbështesin mocionin e saj. Për më tepër, sipas tij, AAK vazhdon ta mbajë Blerim Shalën, nënkryetarin e saj të parë dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të Thaçit, në negociata me Serbinë.

Ai ka thënë se janë për rrëzimin e kësaj qeverie, derisa është shprehur kundër shpërndarjes së Kuvendit, ashtu siç thotë se janë marrë vesh Thaçi e Mustafa. Sipas tij, nëse nuk do të rrëzohet kjo qeveri, atëherë do të “amnistohej” për gjithë ato dëme që i ka bërë vendit.

Kurti nuk brengoset për fushatën elektorale që tashmë është duke e zhvilluar kryeministri Thaçi, duke thënë se më atij nuk i beson askush.

I pari i VV-së ndër të tjera në këtë intervistë thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të hyjë në asnjë koalicion nëse nuk del partia e parë politike në vend. /Gazeta Blic/

Lajme të ngjashme

Back to top button