I ligjshëm ose jo: Apeli mbledh dëshmitë për urdhrin e Trumpit për migrimin

Gjykatat e apelit në Shtetet e Bashkuara do të dëgjojnë sot dëshmi për rivendosjen ose jo të urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump, i cili u ndalon hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve, ashtu si edhe udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane, njofton REL.

Gjykata e Qarkut të Apeleve në San Francisko kërkoi nga avokatët e Departamentit të Drejtësisë dhe të shteteve Uashington dhe Minesota të paraqesin argumentet e tyre në orën 15:00, sipas kohës lokale.

Një gjykatë në qytetin Sietëll të Uashingtonit ka pezulluar urdhrin e Trumpit më 3 shkurt, duke u hapur dyert njerëzve nga Irani, Iraku dhe vendet e tjera të prekura, të hyjnë në SHBA.

Departamenti i Drejtësisë tha të hënën vonë se urdhri i gjykatës mbi bllokimin e ndalimit të udhëtimit duhet të ngushtohet dhe t’iu lejojë hyrjen vetëm atyre njerëzve që e kishin të garantuar porse ndodheshin përkohësisht jashtë vendit, ose atyre që duan të largohen dhe të kthehen prapë në SHBA.

Trump këmbëngul se urdhri i tij është i nevojshëm për të mbrojtur kombin kundër terrorizmit, ndërsa kundërshtarët thonë se është jokushtetues pasi ndalon hyrjen në bazë të fesë.

Për më tepër, avokatët nga Uashingtoni dhe Minesota u thanë gjykatave të apelit se rikthimi i ndalesës së përkohshme të udhëtimit do të shkaktonte përsëri kaos në aeroporte, biznese dhe familje.

Por, urdhri i gjykatës në Sietëll mori një përgjigje të zemëruar nga Trump, i cili paralajmëroi se gjykatat mund t’i vënë amerikanët në rrezik.

“Terroristët radikalë islamikë janë të vendosur për të sulmuar tokën tonë, ashtu siç kanë bërë më 11 shtator (2001)”, tha Trump, duke folur në selinë e Komandës Qendrore të SHBA-së në Tampa të Floridës.

Shtëpia e Bardhë është e bindur se do të triumfojë, tha në anën tjetër zëdhënësi i saj, Sean Spicer.

“Është e qartë se ligji është në anën e presidentit”, shtoi ai.

Paditë e avokatëve në Uashington përfshijnë një deklaratë të ish-zyrtarëve të lartë amerikanë – në mesin e tyre: ish-sekretarët e shtetit, John Kerry dhe Madeleine Albright – të cilët shprehin shqetësime për urdhrin e Trumpit, duke e cilësuar si “të keqkoncpetuar dhe vështirë të zbatueshëm”.

Sipas tyre, urdhri dëmton sigurinë kombëtare dhe rrezikon të vërë në rrezik përpjekjet e ushtrisë amerikane, duke u dërguar “mesazh fyes” irakianëve që punojnë me forcat e SHBA-së në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.

Avokatë edhe të kompanive të shquara të teknologjisë në SHBA, të tilla si Apple, Google dhe Microsoft, kanë paraqitur argumente në gjykatat e apelit në San Francisko, duke thënë se urdhri i Trumpit “i shkakton dëm të konsiderueshëm biznesit amerikan”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button