fbpx

Pacolli e Thaçi fotografohen në qendër të Prizrenit

Kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendës kryeminstri Behxhet Pacolli, në raste të ndara të shtunën kanë shfrytëzuar kohën e mirë, për të qëndruar në Prizren, ndërsa në qendër të qytetit të bukur kanë bërë ndonjë bisedë të shkurtër dhe foto me kalimtarët e rastit.

Në “shatërvan” të Prizrenit, fillimisht në mesditë është dukur kryeministri Thaçi, i cili është parë ulur, skaj lumit, që përshkon qytetin.

“Shfrytëzova ditën e bukur me bashkëshorten dhe djalin Endritin për të vizituar disa miq të vjetër në Prizren”, shkroi më vonë kryeministri në profilin e tij në Facebook.

Nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse lideri i PDK-së, partia e të cilit mban pushtetin në këtë qytet ka pasur ndonjë takim edhe me vartësit e tij në Prizren, të cilët mbase këto ditë kanë pasur shumë nevojë për ndihmën e tij, pas disa protestave për dorëheqjen e kryetarit të komunës Ramadan Mujës, që pas dënimit të tij, nga ana e Gjykatës Themelore, me dy vjet burgim me kusht për shpërdorim detyre, çoi edhe në vetpezullimit njëjavor të aktivitetit politik të tij.

Shefi, siç zakonisht e quajnë Thaçin bashkëpartiakët e tij në Prizren, doli në qendrën pikërisht një ditë, pas njoftimit për pezullim të protestave nga ana e grupit të qytetarëve të shoqërisë civile “Për Prizrenit”, të cilët këtë hap thanë se kanë marrë, pas paraqitjes televizive të kryeministrit, “ që sipas tyre po e mbështet kryetarin e dënuar prizrenas Muja, deri në plotfuqishmërinë e vendimit, të shqiptuar në shkallën e parë të gjykatës.

Djelmoshat prizrenas, që prej një jave me aksione të ndryshme simbolike, përfshirë edhe dy protesta në formë marshi, nga qendra deri tek selia e Kuvendit Komunal, kundërshtuan vazhdimin e punës, siç thanë nga një kryetar i dënuar, pasi panë se në protesta nuk patën shumë përkrahje, paralajmëruan ndërrimin e formës së trysnisë, kësaj radhe duke provuar atë përmes debateve qytetare.

Prania e shefit të qeverisë në qendër të një qyteti është shenjë e mirë. Kjo vetëm se një kryeministër gjendet në mes të qytetarëve, por sigurisht që nga afër ka mundur të sheh, që nuk është krejt relaksuese të qëndrosh në mjedise të zakonshme, edhe atëherë kur ke nevojë për pak pushim. Kjo për shkak të kërkesave të shumta për lëmoshë, që vijnë nga “lypës” , përfshirë fëmijë e të moshuar, e besa tashmë edhe nga gra e nëna, që pothuajse nuk ka qenë traditë, ndërsa numri i tyre vjen e shtohet.

Praninë e Thaçit në Prizren, të dytën brenda javës, pavarësisht se në të parën qëndroi në një kompani private, disa nga qytetarët nuk e kanë kuptuar vetëm si vizitë për të shijuar gastronominë e pasur me specialitetet e traditës, që ka qytetit, aq më tepër pas “telasheve” që shkaktoi dënimi jo vetëm i kryetarit të komunës Muja, por edhe i kreut të PDK-së në Prizren, Minir Krasniqit, i cili u dënuar me 1.6 vjet burgim me kusht, si dhe të katër ish zyrtarëve të tjerë komunal, të cilët janë dënuar nga një deri në tetë muaj, burgim me kusht.

Megjithatë kryeministri ka takuar qytetarë nëpër rrugë me të cilët ka bërë edhe fotografi.

Pas Prizrenit, njoftohet se Thaçi ka vizituar edhe dy nga kompanitë me të suksesshme kosovare, atë të prodhimit të pijeve energjike dhe atyre joalkoolike “Frutex” në Novakë të Prizrenit si dhe fabrikën për prodhimin e këpucëve “Solid” që ndodhet në Zonën Industriale të Suharekës.

Në anën tjetër, pak orë pas Thaçit, gjatë pasdites në qendrën e Prizrenit është parë edhe zv/kryeministri Behxhet Pacolli. Pacolli rreth orës katër është parë në shoqërimin e dy personave, ndërsa është ndalur të bisedojë shkurt edhe me qytetarë. Edhe ky, gjithashtu ka bërë foto jo vetëm me prizrenasit, por edhe me ndonjë nga qytetarët që njësoj sikur Pacolli, kishin ardhur këtu t’i kalojnë disa çaste nga vise Shqipëria.

Lajme të ngjashme

Back to top button