Rama: Reforma në drejtësi, as për Lu e as për Llallën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për herë të parë lidhur me përplasjen mes ambasadorit amerikan dhe prokurorit të përgjithshëm, njofton TVM2.

Procesi i vetingut, sipas Ramës, nuk bëhet as për njërin e as për tjetrin, por për të zhdukur korrupsionin në radhët e gjyqtarëve.

“Reforma në drejtësi nuk është për ne, në kuptimin e interesit tonë, është për ju. Drejtësia e re nuk na duhet thjesht për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por na duhet në radhë të parë për çdo qytetarë që te dera e gjykatës duhet të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të hajë çekiçin kokës nga gjykatësi, sepse nuk kishte para të paguante për drejtësinë dhe dikush tjetër ia bleu përmes gjykatësit drejtësinë. Është një reformë themelore që shkon përmes funksionit të të bërit shtet dhe që kalon përmes vettingut. Vettingu nuk është as për mua, as për ambasadorin amerikan, as për prokurorin e përgjithshëm, as për X apo Y tjetër. Është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që më në fund të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që i morën frymën këtij populli 25 vjet”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Por, lideri i opozitës, Lulzim Basha, është i bindur se kriminelët i kanë zënë postet kryesore, ndaj, sipas tij, ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në duar.

“Kur ngrihen qytetarët, kur ngrihet rinia nuk ka qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar t’i bëjë ballë. E pamë në Rumani, tani është radha e shqiptarëve të ngrihen, të ngrihen kundër papunësisë, varfërisë, kundër shëndetësisë së kolapsuar, arsimit në ditën më të zezë, kundër diskriminimit të rinisë që i është lënë emigracioni rruga e vetme. Kriminelët bëhen deputetë, kryetarë bashkish, bëjnë para dhe katandi, ndërsa rinia dhe intelektualët marrin rrugët. Kjo duhet të marrë fund, këtë e ka në dorë rinia”,- theksoi kryetari i PD-së, Shqipëri, Lulzim Basha.

Basha ka paralajmëruar një protestë madhështore më 18 shkurt, në mënyrë që të shporret njëherë e mirë qeveria e Edi Ramës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button