Kriza politike dhe institucionet e brishta, “dëbojnë” të rinjtë nga vendi

Të rinjtë në Maqedoni thonë se zgjatja e krizës politike për më shumë se dy vjet, si dhe mungesa e institucioneve të mirëfillta demokratike i bën të ndihen skeptikë se do të ndryshojë situata për të mirë dhe se do të mund të ndërtojnë një të ardhme të sigurt për ata dhe familjet e tyre në Maqedoni, duke synuar të ndërtojnë të ardhmen në një nga vendet BE-së apo edhe më larg.

“Na mbetet të mbijetojmë me 200 euro rrogë ashtu siç dimë dhe mundemi, ndërkohë e shihni sa zgjat kriza, askush s`mendon për të ardhmen e të rinjve. I gjithë debati fokusohet tek interesat e një grupi njerëzish në krye të partive, prandaj nëse më jepet shans menjëherë isha larguar nga vendi”, thotë Filip Andonovski, transmeton REL.
Ndërkaq, Elmendina Asani, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, e cila gjatë vitit 2016 është përfshirë në një hulumtim të studentëve nga i gjithë rajoni, duke pasur si objektiv se ku e shohin ata perspektivën e tyre, thotë se rezultatet e kësaj ankete kanë nxjerrë në pah se mbi 80% e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Maqedoni, sapo të përfundojnë studimet, të ardhmen e tyre e shohin jashtë vendit.

Nga Qendra për arsim e të rinjve thonë se Maqedonia do të paguajë një kosto të lartë si shtet, veçanërisht për faktin se popullata më e re dhe e arsimuar, po largohet nga vendi.

Dona Kosuranova, drejtuese e Qendrës për Arsim të të Rinjve, thotë se shteti investon në shkollimin dhe edukimin e të rinjve dhe kur vjen koha për t’u punësuar, mungojnë strategjitë konkrete, të cilat do të krijonin mundësi që më të mirët të përfshihen në sistemin e punës.

“Përkundrazi, gjithçka shkon përmes librezës partiake, kur synohet punësimi në institucionet shtetërore. Pothuajse njëjtë është dhe në sektorin privat, sepse benifitet që i ndan shteti, edhe ato shkojnë përmes filtrave të strukturave udhëheqëse të politikës”.

“Më duhet të theksoj se shteti pëson humbje të mëdha dita-ditës, sepse i edukon gjeneratat e reja dhe kur vjen koha që ata më të mirët me dijen e tyre të kontribuojnë në këtë vend, detyrohen të largohen”, thekson Dona Kosturanova.

Ajo shton se Qeveria e re e Maqedonisë me seriozitet duhet të shqyrtojë shkallën e lartë të papunësisë te gjeneratat më të reja, e cila arrin më shumë se 50 për qind.

Të gjitha partitë politike, të cilat garuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar në programet e tyre në fokus kishin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe ngritjen e standardit jetësor.

Por, organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë popullatën më të re thonë se qeveria e re e Maqedonisë krahas zgjidhjes së problemeve politike duhet të ketë parasysh edhe ndërtimin e një strategjie të qartë që do të hapte perspektivat për të rinjtë në Maqedoni me këtë dhe të ndalojë migrimin përmes liberalizimit të vizave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button