Tartarët hapin xhamitë e tyre për ortodoksët ukrainas që refuzojnë Kishën Ruse

Tartarët e Krimesë u kanë bërë thirrje besimtarëve ortodoksë ukrainas se mund të përdorin xhamitë e tyre nëse Rusia ua mbyll kishat tani që ka aneksuar Krimenë.

Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës është shtrirë edhe në fushën kishtare, ku Kisha Ruse njihet për inkurajimin që i bën Putinit që të ecë në rrugën e rikrijimit të perandorisë cariste. Rrëmbimi i Krimesë është përshëndetur nga Kisha Ruse dhe është dënuar nga ajo Ukrainase.

Tani besimtarët ortodoksë ukrainas në Krime druhen se kishat e tyre do të vendosen nën administrimin e Kishës së Moskës dhe në rast refuzimi do t’u sekuestrohen kishat dhe faltoret.
Në shenjë solidarizimi, tartarët që janë myslimanë kanë thënë se do të hapin dyert e xhamive të tyre që të përdoren si kisha për lutjet e vëllezërve të tyre ukrainas.

Përpara se të pushtohej nga Rusia, Krimeja është banuar prej shekujsh nga tartarët myslimanë. Rusia kreu spastrim etnik pas pushtimit, ndërsa Stalini e kurorëzoi dëbimin duke i internuar masivisht si popullsi në stepat e largëta e duke ua ndaluar kthimin ne vendlindjem me akuzën se kishin bashkëpunuar me nazizmin. Vetëm pas rrëzimit të komunizmit, tartarët filluan të riktheheshin në tokat e të parëve, ku kanë mbetur një pakicë prej pak më shumë se 10%.
Me kalimin e Krimesë në Rusi, frika është rritur mes popullsisë tartare se do të fillojnë përsëri abuzimet dhe dhunimet.

Një parrullë e shkruar nga ekstremistët rusë në foton e mëposhtme u bën thirrje tartarëve të mbledhin plaçkat e të largohen.

Fotografia tjetër është funeral i tartarit Reshat Ametov, trupi i të cilit u gjend javëne kaluar i zhveshur lakuriq, i lidhur dhe i torturuar, në rrethinat e Simferopolit. Komuniteti tartar dyshon se autorët e sulmit janë ekstremistë rusë. Komuniteti po organizon patrulla qytetarësh duke mos pasur më besim te forcat e reja të rendit./illyriapress/

Lajme të ngjashme

Back to top button