Mbahet “Nata e Oratorisë” në Shkup

Në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, u mbajt të premten mbrëma “Nata e Oratorisë” e organizuar nga Qendra Për Zhvillim Edukativ dhe Kulturor “Racio”. Ky manifestim organizohet tre vite me radhë, ndërsa është pjesë e projektit “Edukohu debato, Zëri yt ndihmon shoqërinë”, i cili organizohet nga Qendra “Racio” për pesë vite radhazi dhe që është edhe një shenjë identifikuese e saj.

Kryetari i Qendrës “Racio”, Fahmi Osmani gjatë fjalimit të tij tha se shoqëria sot po përballet me mosbesim dhe me humbje  të autoritetit të njerëzve që bartin proceset shoqërore andaj sipas tij ajo që është urgjente është rikthimi i vlerave.

“Përparimi i antivlerave e kthen detyrimisht dhe vlerën në antivlerë. Sepse, në luftërat me baltë nuk mund të dalësh i pabaltosur. Kështu, rreziku sot nuk është aq shtimi i antivlerës, sa ulja e vlerës. Kjo do të thotë se, ne kemi humbur një betejë, por jo dhe luftën. Sepse lufta e vlerave nuk shuhet kurrë. Organizimi i kësaj nate është një kontribut në drejtimin e rikthimit të vlerave të mirëfillta.”, tha kryetari i Qendrës “Racio”, Fahmi Osmani.

Në këtë ngjarje me karakter garues morën pjesë dhjetë nxënës nga pothuajse të gjitha shkollat e mesme të qytetit të Shkupi. Temat ishin të larmishme dhe trajtonin shumë çështje me rëndësi për shoqërinë tonë, ndërsa kanë qenë të shkruar nga vetë nxënësit.

Fitues në këtë natë u shpall nxënësja e shkollës së mesme kimike “Maria Kiri Skllodovska”, Arjeta Fejzullahu edhe pse duhet thënë që juria e përbërë nga publicistit Ismali Sinani, profesori i shkencave të komunikimit Sefer Tahiri dhe aktorit të njohur shqiptarë Luran Ameti e kishte vështirë të bëjë përzgjedhjen e më të mirëve të kësaj mbrëmje nga shkaku se të gjithë dhjetë garuesit patën një performim të jashtëzakonshëm.

Arjeta garoi me  temën “Kush je ti” e cila nga juria u vlerësua si paraqitja më e mirë e mbrëmjes

“Jam shumë e lumtur me të vërtet nuk e prisja një çmim të tillë nga shkaku se të gjithë garuesit ishim të mirë. Temën me të cilën u paraqita sonte ishte ‘Kush je ti’, ndërsa në përmbajtjen e saj kam bërë një vështrim kritik ndaj punës së profesorëve, politikanë dhe hoxhallarëve, pra ata që janë bartësit kyç të proceseve shoqërore”, deklaroi nxënësja Arjeta Fejzullahu.

Lajme të ngjashme

Back to top button