Siguria si problem sfidues

Vrasjet në Kosovë nuk po kanë të ndaluar. Ato janë gjithnjë e më shumë duke marrë trajtën e një dukurie që është për shqetësim.

Nuk ka shembull më të mirë për këtë sesa rasti i familjes pejane, e cila protestonte me kufomën e të vrarit të tyre para stacionit policor. Është gjendje trishtimi, deri më tani që nga përfundimi i luftës janë mbi 1400 të vrarë. Pavarësisht se çfarë është motivi i atyre vrasjeve, ato janë vrasje, aty po derdhet gjaku, po vdesin djem të rinj, po bëhen bela, po hapën plagë të mëdha në shoqëri të cilat me dekada nuk shërohen. Andaj, konsideroj se krahas marrjes me shkaqet e kësaj dukurie, duhet marrë edhe me pasojat e saj. Njerëzit janë traumatizuar. Ata duhet të jetojnë të sigurt e të lirë: siguria, edhe fetarisht, është para çdo gjëje tjetër. Zaten njëra ndër pesë objektivat kryesore të sheriatit, respektivisht të Legjislacionit Islam është edhe siguria, apo ruajtja e gjakut.

Njeriu mund të disponojë me të mira materiale dhe me shëndet por në qoftë se i mungon siguria, atëherë vlera e tyre minimizohet shumë, për të mos thënë se ato të mira nuk kanë vlerë fare. Nga ky kontekst Islami i kushton një rëndësi të veçantë ruajtjes së jetëve të njerëzve, duke mos i dhënë të drejtë askujt që të marrë jeta njerëzish, në çfarëdo rasti apo me çfarëdo motivi qoftë. Ajo është e drejt ekskluzive e Krijuesit, eventualisht e shtetit në raste specifike.

Vrasja në Islam është mëkati më i madh që bëhet në tokë të Zotit në raport me njeriun. Për atë arsye Ai i cili mbytë një njeri pa faj, pa të drejtë, është sikur t’i mbys mbarë njerëzimin.” (Kur’ani: Maide: 32).

Nga ky kontekst kur Pejgamberi Muhamed alejhi selam numëroi shtatë mëkatet më të mëdha, mëkatin e dytë pas idhujtarisë e ceku vrasjen pa hak, pa të drejtë. Ai që vret njeriun pa të drejtë ai ka tërhequr një hidhërim të madh nga Zoti, ai ka bërë mëkat shumë të madh. Për të nuk do ketë mëshirë e rahati. Zoti ka thënë:

Ai i cili mbytë një musliman me qëllim ndëshkimi i tij është xhehenemi, në të është përgjithmonë. Ndaj tij është hidhëruar Allahu, atë e ka mallkuar dhe për të ka përgatitur dënim të dhimbshëm. (Kur’ani: Nisa: 93).

Andaj në Islam të jesh i vrarë apo i mbytur është më mirë sesa të jesh vrasësh.  Për ta ndaluar sa më shumë këtë dukuri të shëmtuar, në veçanti tek shpirtligët dhe keqdashësit, Islami bile edhe legjislacionet tjera të mëhershme, si feja çifute  dhe feja krishtere, ka sjell dënimin me vdekje për vrasësin. Sepse është e pakuptimtë që njeriu të vrasë të tjerë, e më pas të shëtis i lirë, apo të qëndrojë pak vite në burg e më pas të dalë. Një gjë e tillë nxitë për vrasje dhe për hakmarrje gjithashtu.

Nuk ka asfarë dyshimi se përpos bindjes fetare për mëkatin e kësaj vepre të shëmtuar, dënimi i rëndë dhe ndëshkimi i ashpër nga ana e shtetit është shkaku kryesor që ndalon përhapjen e këtij krimi makabër.

Andaj mendoj se gjithsesi duhet mobilizuar të gjithë dhe duhet futur në funksion të gjithë mekanizmat e mundshëm, e sigurisht edhe edukatën fetare, bile atë në rend të parë. Por duhet shtrënguar edhe ligjin. Sepse me këtë ligj kaq të butë që kemi ne sot dhe me këto dënime kaq të lehta për vrasësit, ne vështirë se do të ndalim krimin në përgjithësi, e vrasjen në veçanti. Nuk ka mëshirë ndaj vrasësit, ai duhet shijuar dënimin maksimal. Jo se ne duam ta dënojmë atë, por ai ia ka bërë vetes, ai me veprën e tij të shëmtuar ka humbur të drejtën të jetojë i lirë dhe i barabartë me të tjerët, ai duhet ekzekutuar. Nuk dyshoj fare –të nderuar– se po t’i kishte varur apo ekzekutuar shteti dy-tre veta dhe atë publikisht, nuk do të figuronte ky numër kaq i madh i vrasjeve, por ja që ne po mendojmë se me butësi shërohen këto sëmundje. Populli thotë gjarprit duhet mëshuar në kokë.

Jo vetëm numri i madh i vrasjeve që na bënë të shqetësohemi neve si qytetarë dhe mos ta ndjejmë veten të lirë e të sigurt, por aq më i çuditshëm është fakti se shumica e atyre autorëve të vrasjeve ende nuk janë zbuluar e nuk janë kapur. Çudi kjo mesele, gjithë ato vrasje dhe ende nuk dihen autorët?! Vërtet jemi bërë për hajmali, siç thotë populli. Ku janë organet e sigurisë, ku është ministria e punëve të brendshme, e cila flet për rrezikun e “vehabistëve dhe ekstremistëve”, që nuk ekziston fare, ndërsa anashkalon, apo minimizon rrezikun e krimeve të ndryshme që kanë kapluar shoqërinë. Vjedhjet, plaçkitjet, shantazhimet, kërcënimet, vënia haraç, etj., janë sikur episode të një seriali të hidhur të shoqërisë sonë. Janë imazhe që ngjallin frikë.

Dhe për këtë fajin duhet drejtuar, para së gjithash, qeverisë, e cila përpos zhurmës shurdhuese, nuk ka bërë ndonjë gjë të hairit. Dikush duhet dhënë përgjegjësi për këto dukuri negative të përhapura me të madhe.

Allahu e drejtoftë këtë milet, njeriu tjetër nuk di çka thotë në këto rrethana dhe në këto ditë kaq të vështira të cilat po vërshojnë popullin tonë, Kosovën tonë të dashur. Amin dhe deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum

Lajme të ngjashme

Back to top button