Jahjaga: Kosova, partnere e besueshme e OKB-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në selinë e OKB-së në New York me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi rolin e Sekretarit Ban Ki Moon në mbështetje të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me OKB-në në arritjen e përparimit të mëtejmë në Kosovë në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe të rajonit në tërësi.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që të bëhet partnere e besueshme e OKB-së dhe anëtare me të drejta të plota e organizatës botërore, si shtet i pavarur. Presidentja Jahjaga theksoi se rajoni i Ballkanit ndodhet në një moment vendimtar, kur është hapur mundësia për një paqe të qëndrueshme pas fillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe theksoi se BE-ja ka ndërmarrë hapa konkretë për të fuqizuar këtë moment, transmeton rtk.

Ajo tha se janë arritur marrëveshje të rëndësishme, por ato duhet të zbatohen në praktikë dhe plotësisht dhe se rruga e Serbisë drejt BE-së duhet të kushtëzohet me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po ndërton një shtet funksional dhe demokratik dhe një shtet gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në institucionet dhe shoqërinë e saj.

Ajo tha se rruga e hapur e integrimeve evropiane e Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit do sigurojë më shumë stabilitet, zhvillim ekonomik të secilit vend dhe gjithsesi edhe përparim. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova vazhdon të aspirojë anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE, pavarësisht pengesave të tashme me mosnjohjen nga pesë vendet anëtare të saj.

Presidentja Jahjaga theksoi se duhet parë me kujdes të gjitha përparimet e rëndësishme të arritura në Kosovë, që kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Duke folur për çështjen e mbi 1700 qytetarëve të pagjetur, Presidentja Jahjaga theksoi se është e nevojshme ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për ta përmbyllur një plagë te rëndë të shoqërisë së Kosovës që prej përfundimit të luftës dhe qe familjet të gjejnë paqen dhe qetësinë e tyre.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, zotëri Ban Ki Moon vlerësoi zhvillimet pozitive në gjithë rajonin e Ballkanit, me theks të posaçëm në dialogun e zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE dhe vazhdimin e angazhimit në ruajtjes e paqes dhe të stabilitetit ne rajonin e Ballkanit.

Lajme të ngjashme

Back to top button