BDI lavdërohet me projektet e VMRO-së!

Në vend të rezultateve konkrete rreth projekteve të realizuara gjatë mandatit 2011-2013, BDI në raportin e saj llogaridhënës më shumë flet për projektet që planifikon në periudhën e ardhshme. Kështu një sërë projektesh infrastrukturore ndonëse duhej të realizoheshin vite më parë, një pjesë e tyre akoma zvarriten ndërkaq ka dhe të tilla që janë fshirë edhe pse të premtuara më herët.

Në raportin llogaridhënës theks të veçantë BDI i kushton ndërtimit të Korridorit 8, projekt 900 milion eurosh. Sipas tyre, shkurtimi i distancës mes Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovën përmes kësaj autostrade, është projekti më kombëtar i kësaj kohe. Përveç Korridorit 8, BDI-ja u lavdërua edhe me 195 kilometra të tjera rrugë të ndërtuara, me vlerë prej 419 milion euro.

“Ndërtimi i rrugëve që na afrojnë e lidhin me njëri-tjetrin, është pikërisht rruga që kemi ecur ne gjatë qeverisjes sonë. Shkurtimi i distancës fizike mes nesh, mes nesh dhe Shqipërisë, mes nesh dhe Kosovës është projekti më kombëtar i ditëve të sotme. Ky pohim yni mbështet me projekte kapitale që po jetësojnë atë që quhet Korridori 8. Gjithsej 900 milionë euro kemi akorduar dhe paraparë për të gjitha këto ndërmarrje, një pjesë e të cilave ka nisur dhe një pjesë tjetër ka përfunduar”, u shpreh pak ditë më parë Rexhail Ismaili nga BDI.
Nga BDI numëruan edhe autostradat që janë pjesë e realizimit të projekteve që ata kishin premtuar.

Autostradat Kërçovë-Strugë dhe Gostivar-Qafë Thanë,  akset rrugore Kërçovë-Strugë-Ohër, Strugë-Qafë Thanë dhe Trebenishtë-Strugë, janë arteriet ekonomike e kulturore që na lidhin me Shqipërinë. Autostrada Shkup-Bllacë, rrugët Likovë-Gjilan, Llojan-Miratovcë, Stançiq-Bellanoc dhe Tanushë-Debëllde janë damarët që do të mbajnë të zhvilluar më mirë se kurdoherë lidhjet tona familjare, kulturore dhe ekonomike me Kosovën. Lidhja përmes dy akseve, të Rrugës së Arbrit me Korridorin 8, për të cilën gjë janë ndarë 35 milionë euro, është impulsi për një zhvillim të sigurt të Dibrës së Madhe dhe të Dibrës së Vogël”, deklaroi Rexhail Ismaili, BDI.

Në raport si projekte kyçe përfshihen ndërtimi dhe rikonstruktimi i rrugëve shtetërore nga Tabanoca e deri në Strugë dhe nga Kumanova e deri në Dibër, në gjatësi prej 195.1 km dhe me vlerë totale 418.7 milionë euro, është garancia për një zhvillim të barabartë të rajoneve. 
Megjithatë sipas ekonomistit dhe përfaqësuesit të RDK-së Izet Zeqirit të njëjtat projekte që i reklamon BDI janë projekte që ka realizuar VMRO DPMNE. Edhe pse një pjesë e projekteve prekin rajonet e shqiptarëve VMRO i ka pasur në programin e vet dhe ato i ka realizuar. Është e pakuptueshme kur VMRO ka realizuar 1009 projekte, BDI premton 1081 projekte, në vend që të jap llogari për atë çfarë ka përmbushur.

“Kur analizohen në aspekt financiar edhe si numër edhe si shumë parash ato nuk e tejkalojnë 5 %-shin e mjeteve të cilat janë ndarë VMRO PDMNE-së. Nëse analizohen edhe mjetet që janë marrë nga fondet dhe bankat e huaja, komunat të cilat kanë qenë të udhëhequra nga BDI-ja nuk ka arritur të kalojnë as 5 % të mjeteve të cilat janë ndarë”, thekson Zeqiri për Portalb.
Madje sipas Zeqirit, BDI nga raporti i saj ka fshirë edhe projekte të cilat i kishte premtuar por nuk i ka realizuar.

Qeveria heq dorë nga ndërtimi i disa projekteve të paralajmëruara në zonat shqiptare me buxhetin e propozuar për vitin 2013 janë fshirë dy projekte të paralajmëruara si nga platforma e partisë shqiptare në pushtet, ashtu edhe nga programi i Qeverisë. Projekti për ndërtimin e Hidrosistemit Reçicë- Raven, që duhej të shërbejë për ujitjen e fushave në rajonin e fshatrave nga Reçica e Tetovës deri në Raven të Gostivarit dhe Penda e Sllupçanit, projekt kyç për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve në Komunën e Kumanovës dhe Likovës kanë figuruar në buxhetin e vitit 2012 në një zë të përbashkët buxhetor, ku përveç tyre kanë figuruar edhe disa projekte të tjera në zonat e banuara me maqedonas. Këta të fundit, vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej në buxhetin e vitit 2013 dhe në shumicën prej tyre punohet me intensitet të lartë, ndërsa të vetmet që janë fshirë nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2013, janë dy projektet e lartpërmendura në zonat e banuara me shqiptarë.

“Në projektin e vitit 2012 ishte paraparë të investohet 20 milionë denarë për Hidrosistemin Reçicë-Raven dhe Pendën e Sllupçanit. Për të njëjtat projekte ishin paraparë edhe 34 milionë denarë për vitin 2013 dhe 55 për vitin 2014. Ne alarmuam kur u bë rebalanci pasi buxheti për këto dy projekte ishte shkurtuar nga 20 në 12 milionë denarë”, theksoi Zeqiri.

Nga ana tjetër projekti i vitit 2007 për ndërtimin e bibliotekës në Tetovë duhej të përfundonte në vitin 2011, por punimet rreth saj akoma nuk kanë filluar. 

Nga ana tjetër kryeministri Gruevski pak ditë më parë akuzoi parterin e deritanishëm të koalicionit se pakënaqësia e shqiptarëve rreth qeverisë buron nga mos arritja e ministrave të BDI-së për të realizuar premtimet e dhëna./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button