BDI harroi premtimet në Likovë dhe Çair

Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011, Bashkimi Demokratik për Integrim në platformën e saj premtoi dhe shkroi se do të bëhet lëshimi i dy qendrave ditore në Çair dhe Likovë për përkujdesjen e mbi 30 fëmijëve me nevoja të posaçme. 


Pjesa nga platforma politike e BDI-së për vitin 2011 ku shënohet premtimi

Por kjo gjë nuk u realizua, qytetarët shprehen të revoltuar sepse fëmijët e tyre nuk kanë kujdesin që partia shqiptarë në pushtet u premtoi se do e kenë.

“Kam fëmijën me nevoja të posaçme, në qendrat maqedonase nuk mundem ta dërgoj se psikologët janë maqedonase dhe do të jetë shumë e vështirë për të”, tha R.T. nga Shkupi.
Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, Etem Xheladini, shprehet se ndërtimi i një qendre të tillë është më se e nevojshme në këtë rajon.

“Qendra të ditës për fëmijë me nevoja të posaçme në gjuhën maqedonase ka mjaft, të cilat kujdesen mirë për fëmijët, kurse qendra shqiptare ende nuk janë bërë. Është për të ardhur keq që një familje që ka një fëmijë me nevoja të posaçme nuk ka se ku ta dërgon gjatë ditës, po ashtu është më se e nevojshme edhe për vetë fëmijët që të trajtohet më kujdes nga profesionistë”, tha për Portalb, Xheladini.

Ai shtoi se kishte dëgjuar se po tentohet hapja e një objekti të tillë, por kjo gjë deri më tani nuk është realizuar.

“Kam dëgjuar që ka pasur tentativa që të hapet një objekt i tillë, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. BDI duhet të mbajë premtimet, duhet të ndihmojë këta fëmijë të cilëve u nevojitet kujdesi edhe i psikologut krahas atij të prindërve”, shtoi Xheladini.

Po ashtu edhe në komunën e Çairit nuk është hapur një Qendër për kujdesin e fëmijëve me nevoja të posaçme, arsyeja për mos realizimin e këtij projekti mbetet ende e paqartë dhe e panjohur për qytetarët. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button