Stoltenberg: NATO garanton praninë dhe sigurinë në Kosovë

Stabiliteti i Ballkanit është shumë i rëndësishëm për NATO-n, andaj KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se i siguronte kryeministrin dhe qytetarët e Kosovës se forca e KFOR-it do të mbetet në Kosovë për të siguruar një mjedis të qetë e paqësor.

“NATO është në Kosovë. NATO e ka forcën e vet, KFOR-in këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë”, ka thënë Stoltenberg.

Kjo prani e KFOR-it me mbi 4.500 ushtarë, tha Stoltenberg do të jetë e pranishme në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

“Por para së gjithash tani është koha për dialog”, ka thënë ai. Në këtë kuadër, Stoltenberg u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, por edhe atyre në Beograd që të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog tani është rikthyer me mbajtjen e dy raundeve brenda dy javësh dhe unë e mirëpres këtë fakt”, ka thënë Stoltenberg.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova aspiron integrimin e saj në NATO dhe se i gjithë spektri politik, në pushtet dhe opozitë ka qëndrim unik sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Po ashtu, Mustafa tha se institucionet e vendit e vlerësojnë lartë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe mbështesin vazhdimin e këtij misioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button