fbpx

Promovohen librat kushtuar heroit të kombit, Rexhep Malaj

Në USHT- u promovuan dy veprat e autorit Agim Sulejmani kushtuar Heroit të Kombit Rexhep Malaj, Romani “Rrugëtimi i një vigani, dhe Monografia “Rexhep Malaj zjarr lufte që nuk shuhet”.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe bashkëvuajtës, bashkëveprimtar dhe familjar të Rexhep Malaj në mesin e të cilëve Rafi Halili, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, bashkëshortja e Rexhep Malaj, Hanife Malaj dhe e bija Fitore Malaj.  

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti theksoi se kontributi i Rexhep Malajt në luftën për lirinë e Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm.
 
“Nëse sot, jeta sociale, politike dhe kulturore kërkon disa modele për t’u ndjekur, janë pikërisht veprimtarët e kauzës sonë kombëtare, të profilit të Rexhep Malajt, që meritojnë vëmendjen tonë të përhershme, të cilët me burrërinë, veprën, kontributin dhe sakrificën e tyre, flakën njëherë e përgjithmonë robërinë e huaj,  për të vendosur themelet e historisë sonë më të re.Kontributi i Rexhep Malajt në luftën për lirinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm. Ai ishte ndër luftëtarët dhe strategët kryesorë në periudhën e kthesave të mëdha dhe luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi” tha mes tjerash Ameti – Rektori i USHT-së.  

Autori i veprave Agim Sulejmani dhe bashkëveprimtari i Rexhep Malajt Ismet Sulejmani thanë se është nderë i veçantë për ata që në këtë promovim të pranishëm janë legjenda e gjallë e Kushtrimit të Lirisë, shoku i ngushtë dhe bashkëmendimtari e bashkëvuajtësi i Rexhepit, Rafi Halili, para të cilit u përkul me respekt të veçantë, dhe Ali Ahmetit, një shok i kohës së veprimtarisë revolucionare klandestine, i cili sipas autorit ka pasur fatin të jetë edhe njëri nga bashkëveprimtarët e radhëve të organizuara së bashku me viganin Rexhep Malaj, veprimtarinë të cilën ai e vazhdoi në mënyrën më të denjë. 

 “Rexhepi është një figurë që i tejkalon kufijtë e Kosovës, sepse ai ka lënë gjurmët e tija jo vetëm në Kosovë e vise tjera shqiptare të pushtuara nën ish Jugosllavinë, por edhe në trungun amë Shqipëri, e sidomos në mesin e veprimtarëve të devotshëm të këtyre viseve shqiptare në Maqedoni. Ky vit shënon 30 vjetorin pa viganët e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, këtyre prijetarëve të luftës guerile, ata që i vunë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Pas vrasjes së Rexhepit e Nuhiut  dhe burgosjes së shumë veprimtarëve të tjerë, këtë projekt të hartuar e vazhduan denjësisht, Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Ali Ahmeti, veprimtari e cila kulmoi me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” theksoi  Agim Sulejmani – Autori i Librave.

Kurse bashkëveprimtari  Ismet Sulejmani potencoi se “As optimisti më i madh nuk ka mundur të shpresoj dhe të besoj se do ta presim këtë ditë që në mes të Tetovës në sallën qendrore të Universitetit të Tetovës të nderohet publikisht figura, jeta dhe vepra heroike e çelikut të qëndresës lavdi madhit heroi i kombit Rexhep Malaj.Duhet ta themi hapur dhe me respekt se këtë realitet përpos përpjekjeve titanike për historinë të bijëve dhe bijave të popullit shqiptar të shumëvuajtur por kurrë të nënshtruar e ka bërë të mundur lufta e djemve dhe vashave të popullit shqiptar në Maqedoni lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me në krye me veprimtarin dhe organizatorin e madh, ilegalin e famshëm, themeluesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës komandantin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, baskëveprimtarin besnik të Rexhep Malajt udhëheqësin më me zë të popullit shqiptar Ali Ahmetin” deklaroi me këtë rast Ismet Sulejmani bashkëveprimtar i Rexhep Malajt.

Edhe recensentët e librave  vlerësuan lartë punën e palodhshme dhe kontributin e autorit Agim Sulejmani. Sipas tyre këto vepra promovohen në qendrën e Universitetit të Tetovës vetëm një ditë para 63 vjetorit të ditës së lindjes së Heroit Rexhep Malaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button