Ballë për ballë: Si nisi lufta mes Llallës e Lu

Akuzave publike të ambasadorit të SHBA se Prokurori i Përgjithshëm kishte shkelur frymën e Kushtetutës për kandidaturat në KED dhe kishte penguar reformën, kryeprokurori iu përgjigj me kundërakuzë duke deklaruar se Donald Lu e kishte shantazhuar për interesa personal, njofton Mapo.al.

Ambasadori Amerikan në Tiranë dhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla janë përfshirë në një debat të pazakontë, me akuza dhe kundërakuza mes tyre, duke shënuar kështu precedentin e parë të përplasjes mes një ambasadori të huaj dhe një Prokurori të Përgjithshëm.

Përplasja jo publike mes tyre ka nisur të paktën një javë më parë, kur në ambasadë janë thirrur zyrtarë të lartë të drejtësisë, përfshi Prokurorin e Përgjithshëm dhe ju është komunikuar revokimi i vizave amerikane.

Madje heqjen e vizës së kryeprokurorit dhe bashkëshortes së tij ambasada e deklaroi publikisht, por duke thënë një zyrtar i lartë i prokurorisë, pa përmendur emrin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas këtij vendimi që nuk është arsyetuar, Prokurori i Përgjithshëm i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit, të cilët i informon “mbi presionet e vazhdueshme të ambasadorit amerikan ndaj institucionit të prokurorisë dhe kryeprokurorit në veçanti”.

Pas kësaj letre dje ambasadori Lu, bëri deklaratën në të cilën tha se prej të paktën 18 muajsh Prokurori i Përgjithshëm po pengon Reformën në Drejtësi.

I menjëhershëm ishte reagimi i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila në një deklaratë për mediat tha se ambasadori amerikan ka ndërhyrë për çështje hetimore konkrete që kanë si qëllim interesa thellësisht personalë të tij. Prokurori i quajti këto akuza tipike “sorosiane”.

Lufta e akuzave dhe deklaratave publike nisi paraditen e djeshme kur ambasadori Lu, i ftuar në një takim për çështjet zgjedhore ngriti dy shqetësime kryesore në adresë të prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Pengimi i Reformës në Drejtësi dhe kandidatët e prokurorisë për Këshillin e Emërimeve ishin dy çështje ku sipas ambasadorit, Prokurori i Përgjithshëm ka shkelur ligjin.

“Njerëz të fuqishëm po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterëve të ILDKPKI, që është jetik për vettingun”, -tha Lu.

Ambasadori amerikan u shfaq kritik ndaj veprimit të Prokurorisë lidhur me kandidaturat e saj për Këshillin e emërimeve në Drejtësi, përzgjedhja e të cilave u bë javën e shkuar përmes hedhjes së shortit:

“Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tri pozicione. Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tria pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tre emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tri poste”, -tha ambasadori.

Me vizë të revokuar dhe i vënë nën akuzë si kurrë më parë nga një diplomat i huaj, Prokurori i Përgjithshëm reagoi duke akuzuar ambasadorin amerikan për shantazh dhe presion të vazhdueshëm ndaj prokurorisë.

Me tone të ashpra, nëpërmjet deklaratës për mediat, Prokurori i Përgjithshëm tha se ambasadori amerikan nuk mund të jetë zot i prokurorisë sikurse mund të bëjë me politikën.

“Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambientet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë.  Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Sipas akuzës, që prokurorët të ushtrojnë detyrën e tyre nuk kanë nevojë për viza.

“Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza. Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet”, deklaroi Prokuroria e Përgjithshme.

Përfaqësuesja e akuzës lexoi dhe letrën e plotë që Prokurori i Përgjithshëm i dërgonte Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit, ku denonconte sipas tij presionet e vazhdueshme të ambasadorit amerikan, të cilat sipas prokurorisë bëhen për qëllime thellësisht personale.

Kryeprokurori tha se ka informuar dy krerët e shtetit për revokimin e vizës së tij dhe bashkëshortes, si dhe për disa prokurorë të rëndësishëm të cilët kanë në dorë hetime sipas tij për persona të dyshuar për krime të ndryshme që gjithashtu kanë bashkëpunim me ambasadorin amerikan.

“Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikës gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Nëpërmjet një lëvizjeje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anuluar viza diplomatike si edhe disa prokurorëve të lartë iu janë anuluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuar nga ligjet e këtij shteti. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që nuk është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu”, shkruan kryeprokurori Llalla.

Ai thotë se viza i është anuluar edhe bashkëshortes së tij pas një udhëtimi të bërë në SHBA për arsye shëndetësore.

Ky veprim i ambasadorit Lu përshkruhet nga Prokurori i Përgjithshëm si vijim i sjelljes shantazhuese ndaj institucionit të prokurorisë.

Pas kësaj deklarate Prokurori i Përgjithshëm u thirr në një takim urgjent nga Presidenti i Republikës, ndërsa asnjë prej institucioneve nuk bëri publike çfarë u diskutua në takim.

Ndërsa ambasadori amerikan shkoi në kryeministri, ku në mungesë të kryeministrit, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë, takoi sekretarin e Përgjithshëm dhe ministrin e Brendshëm.

Në mbrëmje, ambasadori amerikan Donald Lu takoi Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Takimi zgjati rreth 20 minuta, por as presidenca dhe as ambasada amerikane nuk publikuan temën e diskutimit në këtë takim.

Lista e zezë, 23 gjykatësve e prokurorëve iu hoqën vizat

Tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë iu janë hequr vizat nga Ambasada Amerikane pak ditë më parë, sipas një lajmi të publikuar në Top Channel, po ashtu viza i është hequr kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe 23 anëtarëve të tjerë të gjyqësorit dhe prokurorisë.

Ambasada Amerikane konfirmoi këtë numër dje në mbrëmje, ndërsa Top Channel bëri me dije se emrat që kishte bërë publik nuk ishin konfirmuar në dy burime, por njoftoi se ndër të prekurit ishin gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të larta dhe një pjesë anëtarësh të trupës që ishin shprehur kundër ligjit të vettingut.

Nga Gjykata e Lartë janë të refuzuar për vizën amerikane gjyqtarja e dorëhequr Mirela Fana, gjyqtari Artan Broci dhe gjyqtari Shkëlzen Selimi.

Në listën e gjyqtarëve janë edhe dy togat e zeza të Tiranës, gjyqtarja e Apelit dhe ish-bashkëshortja e Azem Hajdarit, Fatmira Hajdari dhe gjykatësi i Tiranës, Artan Lazaj.

Ky i fundit reagoi në një postim në Facebook duke e cilësuar të padrejtë vendimin.

“Artan, e thënë në këto momente nga Ambasadori duket e pabesueshme. Pse pikërisht sot, që shkroi shqetësimin Prokurori, apo e ka kapur zakoni shqiptar”, ironizoi Lazaj, duke thënë se të refuzuarit ishin njerëz të nderuar të kombit.

Ndërkohë sipas TCH lista e zezë e prokurorëve të refuzuar kryesohet nga prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla dhe bashkëshortja e tij; shefja e sektorit të Dekriminalizimit, Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj, prokurorit Dritan Gina.

Por ndërkohë, sipas kronikës edhe më shumë njerëz ndodhen në këtë listë.

Lista e Zezë:

Vitore Tusha

Besnik Imeraj

Gani Dizdari

Mirela Fana

Artan Broci

Shkëlzen Selimi

Adriatik Llalla

Rovena Gashi

Dritan Gina

Artan Lazaj

Saimir Bahiti

Elfrida Agolli

Petrit Fusha

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button