Shkupi kërkon fitoren e radhës

Nga xhiro në xhiro ndeshjet e Ligës së dytë po bëhen shumë interesante, edhe pse ende mbeten të shkëputura në kreun e tabelës, Sileksi dhe Teteksi, por tani Vrapishti, Drita dhe Shkupi janë skuadrat që janë lëshuar në sulm së paku pas pozitës së dytë.

Skuadra e Shkupit ka vazhduar serinë pa disfatë që në fillim të sezonit pranverorë, dhe këtë të shtunë do luajë edhe një ndeshje shumë të rëndësishme, kur në stadiumin e Çairit vjen si mysafire ekipi i Tiverija, që është në kërkim të pikëve të shpëtimit.

Një prej futbollistëve që këtë mesjavë luajti për ekipin e Shkupit në fitoren ndaj “11 Oktomvri”, ishte edhe mbrojtësi Flakron Ajdari, i cili ka thënë se fillimi i sezonit pranveror është shumë i mirë, duke lënë anash incidentin në Bogovinë.
“Kur në ekip ke lojtar siç janë Bujamin Asani, Ardian Nuhiu, Suat Zendeli, Muharrem Bajrami e ke shumë lehtë te adaptohesh. Sa i përket ndeshjeve të luajtura deri më tani, jam shumë i kënaqur, po tregojmë loje mjaft të mirë për futbolldashësit, jemi të gjithë si një grusht dhe synojmë që të arrijmë sa më shumë në këtë sezon”, është shprehur Ajdari duke lavdëruar edhe kryesinë dhe stafin teknik për përpjekjet që kanë bërë që skuadra të ketë kushte sa më të mira. 

“Nuk di si të përshkruaj me fjalë punën e stafit, thjesht ata na kanë mundësuar të gjitha kushtet, jemi të kënaqur maksimalisht, vetëm duhet vazhduar me punë. 
Të shtunën e presim Tiverijën, një ekip që nuk duhet nënvlerësuar, si për çdo skuadër, gjithashtu edhe për ta kemi respekt, mirëpo dua të them që në Çair asnjë ekip mos të shpreson të merr pikë, ne do të futemi në fushë për 3 pikë të reja dhe nuk do të  zhgënjejmë kryesinë e as tifozët tanë”, është shprehur Flakron Ajdari.

Në kuadër të xhiros së 21 të Ligës së Dytë do të kemi këto përballje: 
Shkupi – Tiverija, Pobeda Junior – Vrapçishti, Skopje – Rrufeja, Drita – Lokomotiva, Zajazi – Miravci, Boreci – 11 Oktomvri, Teteksi – Novaci dhe Sileksi – Maxhari. Të gjitha ndeshjet luhen të shtunën me fillim në ora 15:00. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button