Kur drejtësia vonohet

Derisa sytë e të gjithëve janë kthyer drejt rezidencës së Ivanovit në Vodno duke pritur me padurim vendimin e tij lidhur me mandatin për të formuar qeverinë, Prokuroria Publike Speciale (PSP) njoftoi për vazhdimin e sabotimit të punës së saj nga ana e institucioneve të rregullta shtetërore. Nga njoftimi i shpallur me datë 31.1.2017 nga PSP, kuptojmë që si gjithmonë, problemet kryesore për bashkëpunim me këtë prokurori i shfaq Gjykata penale Shkupi 1 përmes Sektorit për Krim të Organizuar i cili kësaj rradhe ka rrefuzuar disa kërkesa për bastisje të ngritura nga PSP. Nga njoftimi kuptohet njëherit që kjo Gjykatë deri më tani ka pranuar vetëm një kërkesë të tillë, edhe atë para një viti, me 25.1.2016, lidhur me hetimin që PSP e udhëheq nën emrin Titanik. Që atëherë, të gjitha kërkesat tjera për bastisje janë rrefuzuar.

Kjo situatë na kujton raste tjera të mungesës së bashkëpunimit mes Gjykatës Penale dhe PSP. Si që është publikuar shumë herë më parë, derisa Gjykata Penale Shkupi 1 me vite të tëra i ka pranuar pa asnjë problem gati të gjitha kërkesat për paraburgim të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar (PKO), po e njëjta gjykatë, vetëm gjatë vitit2016, ka pranuar vetëm një nga rreth 27 kërkesave për paraburgim të ngritur nga PSP. Dhe ja ku jemi në vitin 2017, ndërsa kërkesat e PSP për bastisje ose për çfarëdo ndihmë tjetër të nevojshme hasin në vesh të shurdhër si dhe në pengesa të ndryshme nga institucioni gjyqësor penal më i rendësishëm në këtë shtet.

Si gjithmonë, edhe Gjykata penale kishte përgjigjen e saj drejtuar njoftimit të PSP, ku arsyetohet që kërkesa për kontrollim nuk është dorëzuar në mënyrë të duhur dhe nuk është respektuar në tërësi formaliteti i procedurës për pranim të kërkesave në këtë gjykatë.

Është interesante si ndodh që bashkëpunimi i kësaj gjykate me PSP të jetë kaq formal ndërsa me PKO të jetë kaq esencial. Sepse një diskrepancë e tillë vendimesh, ku pranohet gjithçka nga PKO dhe refuzohet gjithcka nga PSP vërtet shkon përtej formalizmit dhe hyn në ujëra të tjera të sabotimit të drejtësisë, që janë karakteristike për një shtet që funksionon në mënyrë mafioze.

Dhe kështu, derisa Ivanov mendohet thellë se ç’të bëjë me mandatin dhe kujt t’ia japë, koha kalon, vitet ikin, si shkoi 2016-ta do të shkojë edhe gjysma e 2017-tës dhe do të arrijmë në korrik, kur edhe mbaron afati brenda të cilit PSP ka të drejtë të ngrisë aktakuza. Sigurisht, ajo do të vazhdojë edhe më tej ti procesojë rastet për të cilat do të arrijë të ngrisë aktakuzë gjer në korrik të këtij viti, por ajo që ka rendësi është se me këtë qasje të gjykatës penale PSP do të ketë veshtërsi të shumta, e ndoshta edhe të patejkalueshme për të kryer me sukses detyrën dhe misionin e saj. Kur drejtësia sabotohet nga të gjitha anët, me ngulm dhe me përkushtim dhe me qëllim që e njejta të mos dalë në shesh, vështirë se dikush mund të bëjë çudira.

Ndërsa mungesa e drejtësisë në një vend sjell edhe shkatërimin e plotët të të njëjtit. Prandaj, është më se e qartë që pa ardhur drejtësia vështirë se do të ecim përpara, vështirë se do të dalim nga kriza.

Dhe sërish është Ivanov ai që duhet të vendosë lidhur me çështjen më të rendësishme të këtij shekulli: Kujt t’ia jape mandatin. Kur kujtohemi që ishte pikërisht ai që në mënyrë të hapur hodhi gurrin më të madh të sabotimit të punës së PSP në Prill të viti 2016 me abolicionin e tij famoz me të cilin u bëmë të njohur dhe u turpëruam në gjithë botën, është tragjike që sërish, i njëjti person duhet të vendosë se a do ta japë shansin për ndryshim të klimës politike në këtë vend.

Nga ajo që dëgjojmë, Ivanov ka ditë që konsultohet për një çështje që si professor i drejtësisë duhet ta ketë shumë të qartë. Mandati i jepet kandidatit të partisë politike ose partive politike që kanë shumicën në parlament. Sado që të kërkojë ide kreative për interpretimin e këtij neni të Kushtetutës, ai nuk mund të largohet nga synimi kryesor i të njëjtit që lidhet eksluzivisht me sigurimin e shumicës parlamentare.

Ndërsa për sigurimin e asaj shumice parlamentare, mandatet e deputetëve shqiptarë janë shumë të rendësishme. Thonë që pikërisht mospajtimet lidhur me vazhdimin e mandatit të PSP ishin arsyeja kryesore për dështimin e bisedave mes VMRO-DPMNE dhe BDI. Këta të fundit thonë që e përkrahin punën e PSP, dhe tani e kanë kohën ta dëshmonjë të njëjtën, duke mundësuar krijimin e shumicës parlamentare e cila do të ishte vendimtare për ndryshimin e klimës politike në vend dhe si rrjedhojë, mundësimin e një ambienti më normal për punën e PSP. Çdo opsion tjetër është humbje kohe e cila për ne të tjerët, që jemi mësuar ta humbim kohën kot për dekada të tëra në këtë shtet, nuk do të thotë shumë, por për 5 muajt e mbetur kur PSP duhet të ngrejë aktakuza, kjo kohë është e çmuar dhe e pakthyeshme.

Prandaj, duhet pasur parasyshë, që ndihma në vendosjen e drejtësisë nuk mnafton të jetë vetëm deklarative, por duhet që e njëjta të jetë esenciale. Mbi të gjitha, nuk duhet harruar kurë, që pengimi i drejtësisë nuk bëhet vetëm me veprim direkt por edhe me mosveprim. Pengim i drejtësisë është zhagitja e ndryshimit i cili është i mundur, mosndërmarja e veprimeve që janë kruciale për punën e PSP, vonesa e panevojshme e procedurave para saj dhe mosndërmaja asgjë për ndërprerjen e praktikës së sabotimit të këtij institucioni. Sepse, në fund të fundit, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe për këtë nuk ka asnjë arsyetim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button