fbpx

Gjermania “gjunjëzohet” para Rusisë

Gjermani duket se nuk është e gatshme që t’i vendosë sanksione Rusisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar sot se kërcënimet për sanksione shtesë kundër Rusisë do të mjaftonin për të bindur Moskën, për të mos nxitur përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, duke lënë kështu të nënkuptohej se Gjermania nuk është e gatshme për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.

Më tej Merkel tha se nuk është e interesuar që situata të përkeqësohet, madje ajo vetë po punon për qetësimin e situatës me Rusinë.

Merkel u pyet nga mediat, pas një takimi me kryeministrin kanadez, Stephen Harper, lidhur me faktin nëse gjermanët ishin të gatshëm të pranonin “dhimbjen” e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Merkel u përgjigj: “Shpresoj të mos arrijmë deri në këtë pikë. Rusia ka nevojë për shkëmbimin e mallrave dhe tregtinë, dhe pikërisht për këtë arsye Rusia ka shumë për të humbur, kjo më bën të jem e qetë lidhur me çështjen”.

Berlini varet shumë nga Rusia në çështjet ekonomike, për shkak të volumit të madh të tregtisë mes dy vendeve. Rreth 6000 kompani gjermane dhe rreth 300.000 vende pune varen nga partnerët rus, me një volum investimesh prej rreth 20 miliardë eurosh. Gjermania aktualisht është eksportuesja më e madhe e Bashkimit Evropian në Rusi.

Lajme të ngjashme

Back to top button