Timoshenko do të kandidojë për postin presidencial në zgjedhjet e majit

Ish-kryeministrja e vendit, Julia Timoshenko, ka thënë se ka në plan të kandidojë për presidencën ukrainase në zgjedhjet e majit. Timoshenko u lirua nga burgu në shkurt pas rrëzimit të presidentit Viktor Janukoviç, pasi qëndroi për tre vjet. Timoshenko u burgos në vitin 2011 për korrupsion, lidhur me një marrëveshje të gazit me Rusinë në vitin 2009. 

Ajo ka shërbyer tashmë dy herë si kryeministre e vendit dhe ka kandiduar edhe njëherë për presidente, në vitin 2010. Ka qenë një figurë e rëndësishme në “Revolucionit Portokalli” të vitit 2004, që rrëzoi administratën e parë të Janukoviç. 

Zonja Timoshenko tha se ajo do të prezantohet si “kandidate për bashkimin ukrainas”. Ajo u tha gazetarëve se kishte fituar të drejtën për t’u quajtur si kandidate kundër korrupsionit.

Ditën e hënë ajo ka mohuar vërtetësinë e një bisede të regjistruar, në të cilën bënte thirrje që Rusia të shndërrohet në një “tokë të djegur” dhe që rusët etnikë në Ukrainë të vriten. Timoshenko tha se regjistrimi, i cili u paraqit në raportet e lajmeve ruse, ishte prodhuar nga shërbimet e sigurimit rus.

Ish-boksieri Vitali Klitschko dhe manjati Petro Poroshenko priten po ashtu të kandidojnë në zgjedhjet presidenciale. Sondazhet e opinionit sugjerojnë se Poroshenko, i cili është një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës, është kandidati më popullor. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 25 maj./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button