Rexhep Qosja: Fehmi Agani dëshironte të arrij vdekjen time politike

Akademiku Rexhep Qosja do të botojë së shpejti ditarin e 50 viteve të fundit. Rrëfimet zënë fill në vitin 1966 dhe ia mbërrijnë gjer në ditët tona, duke sjellë vrullin e një jete intelektuale, ngjarjet, debatet, polemikat, botimet e më gjerë.

Profesori prej kohësh ka filluar bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese “Toena”, për të prezantuar ditarin e tij 50-vjeçar. Duke pasur parasysh të gjitha fletoret e blloqet me shënime, ditari i tij parashikohet të dalë në 8 vëllime, ndërkohë që tri vëllimet e para janë në proces botimi. Në këtë botim, Qosja trajton ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike, kulturore para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë. Ngjarjet që kanë sjellë viti 1966, vitet historike 1968 e 1981, formimi i partive, politika e tyre, formimi i UÇK-së, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe qëndrimet e ndryshme politike e intelektuale ndaj Shqipërisë janë ngjarje me përkushtim të posaçëm në këtë ditar. Në ditar, profesori tregon se si krijonte, çfarë krijonte, çfarë lexonte, cilët krijues kombëtarë dhe botërorë çmonte dhe i donte më së shumti. Mandej, ai flet, duke i përshkruar e duke i vlerësuar, për ngjarje për të cilat është shkruar e folur nga autorë a mediat tona dhe për ngjarje për të cilat deri tani nuk është shkruar.

Në ditarin e vet, akademiku Rexhep Qosja është ndalur tek personalitete të ndryshme: krijues letrarë e artistikë, studiues të fushave të ndryshme shkencore, kuadro të universitetit, politikanë e shtetarë me të cilët ishte takuar gjatë jetës së tij. Galeria e personaliteteve për të cilat flet, duke u bërë portrete treguese është jashtëzakonisht e pasur. Personazhe të shpeshta në të janë edhe disa gazetarë e publicistë. Ditari i studiuesit Rexhep Qosja, me një pjesë të madhe, është historia e ngjarjeve, veprimeve, politikave, sjelljeve, për të cilat deri sot nuk është ditur apo shtrembëruar e vërteta është historia e vërtetë e përpjekjeve shumëvjeçare për ndryshimin e fatit të përparshëm historik të popullit shqiptar – për krijimin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë për bashkimin kombëtar.

Ai është një histori e brendshme e Kosovës në radhë të parë, por edhe e Shqipërisë, në të vërtetë një histori e brendshme e jetës kombëtare, kulturore e politike, të popullit shqiptar në përgjithësi në kohën që e jetojmë në brezat e sotëm dhe në kohën që e kanë jetuar paraardhësit tanë. Për nga shumësia e përmbajtjeve, çështjeve, ideve, politikave dhe personazheve të trajtuara, ditari i akademikut Rexhep Qosja ka karakter enciklopedik. Do të jetë vepër monumentale për nga vëllimi, për nga cilësia dhe rëndësia e të vërtetave dhe e të drejtave të trajtuara në të. Shumë lexues do ta vlerësojnë siç pritet këtë vepër të jetës së Rexhep Qosjes, disave do t’u sjellë gëzim, por disave edhe kundërshti, dëshpërim e reagime. Si për gëzimin, ashtu edhe për dëshpërimin vendosin personazhet e jo autori.

Në fragmente nga vëllimi i tretë i Ditarit të Rexhep Qosjes që do të botohet këtë pranverë, ai sjellë edhe rëfimin për polemikat që ka pasur me Fehmi aganin për veprën “Morfologjia e një fushate”.
Fehmi Agani e ka shkruar i hidhëruar apo edhe i dehur shkrimin “Testimonium pau-peritatis i R.Qosjes”, e ka shkruar në të vërtetë i dehur prej hidhërimit. Nuk jam i lumtur pse Fehmi Agani është hidhëruar aq shumë në mua për shkak se e kam përmendur dy-tri herë jo aq kritikueshëm në “Morfologjinë e një fushate”.

U botua edhe pjesa e dytë, në të vërtetë vazhdimi i dytë, i shkrimit të politikologut dhe sociologut tonë, Fehmi Agani, kundër meje. Ky vazhdim i artikullit të tij ka një ndryshim të dukshëm në krahasim me pjesën e parë: tani, në këtë pjesë, të dytë, ai ka hequr dorë nga metoda “psikanalitike” dhe është për-qendruar kryekëput në metodën politike për likuidimin tim nga jeta jonë kulturore! Sigurisht ia ka mbushur vetes mendjen se me metodën psikanalitike e ka kryer një pjesë të punës për këtë likuidim, prandaj tani, në pjesën e dytë, ka vendosur ta çojë deri në fund qëllimin: të arrijë vdekjen time politike që do të sillte vdekjen time krijuese! Në mjedisin tonë nuk flitet kot për përshtatshmërinë dhe papërshtatshmërinë moralo-politike të njerëzve. Po u shpalle i papërshtatshëm politikisht domethënë se vetvetiu je shpallur i papërshtatshëm edhe moralisht. Metoda “psikanalitike” me të cilën synohet komprometimi psikik i njeriut është metodë e vënë në shërbim të metodës politike. Pikërisht si në kohën e Stalinit në Bashkimin Sovjetik.

Lajme të ngjashme

Back to top button