Mes barazisë dhe zisë së vendit

Në Maqedoni zgjedhjet i fituan ata që duhet t’i humbnin dhe i humbën ata që sikur të ishin pak më të organizuar dhe më pak të përçarë do t’i fitonin zgjedhjet. Megjithatë, ashtu rrodhën ngjarjet dhe doli rezultati që pas zgjedhjeve shqiptarët të mund të zgjedhin në interes a dobi të shqiptarëve. Vetëm një tradhti e madhe mund t’i shpëtojë maqedonasit, të cilët duan të jetojnë më mirë dhe më lartë se shqiptarët, gjegjësisht të cilët nuk duan të barazohen me shqiptarët. Gjithsesi, maqedonasit nuk duan të barazohen me shqiptarët, mbase jo vetëm tani, por kaherë këtë mendim dhe qëndrim e kanë pasur, madje kanë arritur edhe ta dëshmojnë këtë qëndrim. Megjithatë, shqiptarët në vend se t’i kërkojnë me ngulm të drejtat e tyre dhe t’i thonë bindshëm se nëse të drejtat nuk i marrim, atëherë dimë edhe t’ju lëmë të vetmuar. Ndërsa, përfaqësuesit tanë politikë kanë vazhduar në cilësinë e retorikës së thatë të kërkojnë të barazohen me maqedonasit. Vetëm të kërkojnë dhe jo të dëshmohen se edhe kolltukët janë të gatshëm t’i braktisin nëse nuk bëhet ajo që është e natyrshme; pra të gjithë qytetarët të trajtohen me drejtësi prej shtetit dhe jo me peshore etnike dhe partiake të gjykohet. Për rrjedhojë, shteti nuk duhet të ndahet vetëm prej partisë, por edhe prej e (një)etnisë. Habitshëm, të paktën në cilësinë e parodisë, një herë nuk u shkojë mendja t’i thonë se meqë maqedonasit nuk duan që shqiptarët të bëhen të barabartë me maqedonasit, atëherë le të bëhen maqedonasit të barabartë me shqiptarët. Megjithatë, elita politike dhe intelektuale maqedonase e pa se shqiptarët nuk janë të vendosur në kushtëzimet e tyre, ndaj edhe vazhduan me të tyren, pra t’i përdorin shqiptarët si qiraxhinj nëpër shitoret e tyre. Elita jonë u frikësua dhe po frikësohet t’i thotë se edhe çifti bashkëshortor i cili është i mbushur me probleme të përditshme, pohon se ndarja nuk është gjë e mirë, por është më e mirë se të jetuarit me probleme të  mëdha bashkëshortore.

Politikanët tanë në vend të mos lëshimit pe në realizimin e marrëveshjeve mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase, ata vijuan me hartim të marrëveshjeve të reja duke i harruar kështu të vjetrat, të cilat kurrë nuk arritën të jetësohen. Fjala vjen, pasi dështuan me Marrëveshjen e Ohrit, pjesëza të saj futën në deklaratën e përbashkët që rrodhi prej BDI-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Rilindjes me Besë. Sërish, pa asnjë rezultat! Pastaj, BDI-ja mori pjesëza të kësaj deklarate të përbashkët për të dal gjoja me qëndrim burimor të sajën. Sërish nuk ia pranuan pikat e saja. Tani nuk dihet se edhe sa do ta hollojnë pazarin për ta formuar qeverinë! Ndërsa, pala tjetër prej kohësh i ka nuhatur dhe përjetuar lëshimet e partive shqiptare, prandaj sillet kështu.

Gjithsesi, shqiptarët do të duhej t’i tregonin se duam të bëhemi të barabartë në të drejta dhe jo të njëjtë në tradita. Mirëpo, çdo ditë e më tepër po dëshmohet se maqedonasit thellësisht i frikësohen barabarësisë. Ndonëse ata e dinë fare mirë se për t’u bërë të barabartë, për shembull, në konkurset e para në institucionet shtetërore, duhet të futen 100 për qind shqiptarë. Ata e dinë se barazia nuk mund të arrihet duke u punësuar 25 për qind shqiptarë, ngaqë gjendja momentale është tepër e pabarabartë, prandaj padrejtësia ndaj maqedonasve në këtë rast është drejtësi për arsye se synohet barazia. Ata i frikësohen barazisë, sepse një kohë jo të shkurtër duhet t’i shikojnë investimet kapitale seç derdhen në rajonet shqiptare dhe seç zbrazen burgjet prej shqiptarëve, të cilët ishin viktimë e peshores etnike dhe partiake. Për t’u bërë gjendja e trishtueshme, shohim se shqiptarët me çdo kusht duan (kësaj radhe shihet një vendosmëri më bindëse) të bëhen të barabartë me maqedonasit, ngaqë natyrshëm kjo pabarazi po sjell efekte të dukshme negative. Madje këtë mund ta shohim edhe në trupin e njeriut. Për shembull, nëse dëshiron ta bësh trupin me muskuj, do të ishte tepër e dëmshme dhe me pasoja ta zhvillosh tepër vetëm shpinën dhe parakrahët, kurse gjitha pjesët tjera të trupit të mos i prekësh fare. Jo që nuk mund të dukesh mirë, por edhe mund t’i dëmtosh rëndë pjesët tjera të trupit. Muskujt e zhvilluar i dëmtojnë ato të pazhvilluar dhe për pasojë mund të paralizohet i tërë trupi. Nuk duhet harruar se suksesi qëndron në baraspeshimin e gjërave, përndryshe natyrshëm kemi plasaritje, amulli dhe pasoja të këqija.

Tani në rastin e Maqedonisë, numrat janë të atillë që epërsojnë shqiptarët. Tani o sot e kurrë duhet shfrytëzuar rasti për kushtëzim serioz dhe të qëndrueshëm palën tjetër. O të fillojmë të bëhemi të barabartë, ose nuk ia vlen bashkëqeverisja dhe bashkekzistenca. Meqë nuk na duan me të drejta të barabarta, atëherë nuk duhet ta lejojmë veten të qëndrojmë si gur sa për ta ndërtuar një mozaik që do t’i shërbejë vetëm maqedonasve. Nuk mund të lejohet maqedonizimi dhe ortodoksizimi i vendit. Patjetër shteti ta merr rolin e baraspeshuesit të gjërave. Nëse shteti nuk është i gatshëm ta merr këtë rol, atëherë ky shtet dëshmohet se nuk është i gatshëm të jetë shtet. Nëse edhe kësaj radhe shqiptarët nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi që shumë rrallë i vjen, atëherë të mos ankohemi, ngaqë nuk dimë dhe nuk duam t’i shfrytëzojmë mundësitë që rrallë na vijnë. Elitat tonë politike dhe intelektuale duhet t’i tregojnë edhe ndërkombëtarëve se në emër të stabilitetit të vendit nuk ia vlen durimi i padrejtësive të pafundme. Duhet t’i tregojnë se në emër të shtetit të së drejtës ka kuptim stabiliteti i vendit dhe jo në emër të stabilitetit të vendit të kapërdihen padrejtësitë, të cilat njerëzit normal kurrë nuk do t’i kapërdinin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button