Ermira Mehmeti: Dal ballëlartë para votuesve, e gatshme të sfidoj trillet dhe padrejtësitë

Ish-deputetja e BDI-së në Parlamentin e Maqedonisë, tani bartëse e listës në njësinë numër 1 për zgjedhjet e parakohshme, në një intervistë për Gazetën Express, thotë se del ballëlartë e me dinjitet para votuesve shqiptarë të kësaj njësie. “Nuk do fitoj për shkak të fjalëve boshe, do fitoj sepse me BDI dhe me mua do të fitojë oferta e vërtetë, integrimi euroatlantik dhe ardhmëria e ndritshme e shqiptarit”, thotë Ermira Mehmeti”.

Akuzave ku subjekt ishte vetë ajo, Erira Mehmeti u përgjigjet; “Pas këtyre pisllëqeve qëndrojnë pisat, kuptohet, qëndrojnë njerëz të frustruar e të kompleksuar, dështakë, varfanjakë intelektual, shërbëtorë të dreqit e të birit, ata që nuk mund të përpijnë faktin se një femër shqiptare mund ti superojë intelektualisht”. 

‘Aferat korruptive’ që zbardhen gjatë fushatave zgjedhore nuk janë asgjë tjetër, përpos pjesë e fushatës negative të rivalëve politikë, konsideron Ermira Mehmeti.

“Unë mendoj se kjo ishte e pritshme dhe është pjesë e një fushate më të gjatë kundër personalitetit tim si individ, si femër, si intelektuale dhe si politikane e panjollosur. Nisi me ndërhyrje në jetën time private, tentoi të përfshinte anëtarët e familjes time, u zgjerua me sajimin e një afere gjoja se dashurie, dhe kulmoi me ‘aferë korruptive’. Këta janë tre elementet ndaj të cilëve votuesit janë më të ndjeshëm në raport me të zgjedhurit e tyre. E, kur në një afat prej tre muajsh ju ndodhin që të tri aferat, a duhet akoma të dyshojmë se kjo nuk është një fushatë e orkestruar?! Duket ironike por është e vërtetë, për fat të keq”, thotë Ermira Mehmeti.

Në intervistën për gazetën “Ekspress”, Ermira Mehmeti, shpreh pretendimet e BDI-së, për të fituar një deputet në njësinë zgjedhore numër 3, që është Maqedonia qendrore dhe një pjesë e asaj Lindore. Testi i sivjetëm do të jetë argumenti për listën në zonën 4 në zgjedhjet e ardhshme.

Lidhur me ndjenjat fetare që trazohen zakonisht gjatë fushatave elektorale, Ermira Mehmeti thotë se në të shkuarën kemi qenë dëshmitarë të keqpërdorimit të bindjeve fetare të njerëzve. Për të, edhe feja, edhe politika kanë të njëjtin “xhemat”.

“Asnjëherë nuk do të shkelim mbi të drejtat dhe kërkesat e besimtarëve myslimanë, përkundrazi do të ndihmojmë maksimalisht që të realizohen të drejtat e besimtarëve myslimanë dhe të komunitetit mysliman”, thotë Ermira Mehmeti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button