Lëvizja Besa: BDI-ja nuk ka kapacitet moral e politik për të marrë çfarëdo vendimi

Lëvizja ka dalë me qëndrim rreth zhvillimeve politike në Maqedoni. Sipas tyre, pas deklarimit të fundit të BDI-së, se nuk ka qëndrim për të marrë pjesë në qeverinë që mund ta formonte mandatari Nikolla Gruevski, Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA – pas konsultimeve të bëra në mbledhjen e djeshme – deklaron se kjo gjendje i ka shpërfaqur tri gjëra, që janë shumë të rëndësishme për opinionin:

  • Më në fund vetë BDI-ja dëshmoi se i a.q. parim “fituesi bën qeveri me fituesin” ka qenë vetëm alibi i saj për bashkëqeverisje pa asnjë kusht me Gruevskin;
  • Pas qëndrimit publik të VMRO-DPMNE-së se nuk e pranon Deklaratën e Përbashkët të Partive Shqiptare të Maqedonisë (që u arrit edhe me asistencë të Tiranës dhe Prishtinës) dhe, përkundër kësaj, zhvillimi i negociatave nga BDI-ja me këtë parti, është shkelje e kësaj deklarate, që flet për faktin se kjo parti nuk është në gjendje ta respektojë as edhe një zotim të përbashkët shqiptar. Kjo detyrimisht e imponon pyetjen se edhe për sa kohë dhe për çfarë argumente të tjera ka nevojë BDI-ja, që ta kuptojë këtë qëndrim antishqiptar të VMRO-së?
  • Mungesa e vendimit nga ana e kësaj partie flet edhe për mungesën e kapacitetit politik të këtij subjekti për të marrë çfarëdo vendimi, kjo si rezultat i krizës morale dhe politike që e ka përfshirë këtë parti.

 

Në qëndrimin e partisë thuhet se marrë në përgjithësi, Lëvizja BESA, si subjekti i dytë shqiptar në Maqedoni e me një qasje krejt të re e tjetërfare në veprimtarinë politike, pa qëndrimin parimor të BESËS kundrejt Gruevskit – sigurisht nuk do të kishte ndodhur që kryetarit të VMRO-së, si asnjëherë më parë, t’i dështonte përpjekja për ta bërë qeverinë.

“Për këtë arsye BESA konsideron se kualiteti demokratik, i ardhur përmes platformës RIDEFINIMI, që e ka sjellë ajo në skenë, është shpresëdhënës se në të ardhmen interesi shqiptar do të jetë në binarë të sigurt”, përfundon qëndrimi i partisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button