Kjo le të mbetet midis nesh

S’ke kah ia mban në këto kohë. Jashtë rrugëve të qytetit është shtrirë gjerë e gjatë frika. Nga kriza e cila e ushqen pasigurinë e njerëzve jashtëpartiakë. Gjithandej është një sy i madh që të shikon prapa perdes, prapa dritares pak të hapur e të pikasë si njeri të partisë tjetër, që kuptohet kjo punë, kur ta kesh etiketën e njeriut “të atyre”, të partisë tjetër, të të tjerëve, ti automatikisht je armiku. I rrezikshmi. Me A të madhe.

Se, sot e gati tridhjetë vjet më parë, nuk është kurrgjë, nuk është kurrfarë mëkati të jesh armik i popullit tënd, po je Armiku  nëse nuk je “me ta”, me partinë e tyre ose në partinë e tyre. Ata vazhdimisht të thonë: pse vëlla ti – njeri me mend në krye të jesh armiku, pse të jesh krimineli?

Të thërrasin ata: eja me ne që të jesh rehat! Natyrisht, nuk të duan në tryezën e tyre, po të jesh aty afër, nën tryezën e tyre dhe vet ta pranosh zinxhirin e argjendtë të lënë aty përfund e vet të lidhesh për këmbën e tryezës. Aty ti do të jesh i miri, i dobishmi, i dëgjueshmi dhe vetëm aty mund t’i kullosësh mendtë, por pa fjalë. Mos se po e the një fjalë të vetme – e hëngre, sepse do të të akuzojnë se këto gjera nuk i duron kushtetuta, se është se i rrënon themelet e shtetit. Ç’të duhet fjala? Rri aty, nën tryezë dhe dije se gjithmonë ka dikush që mendon për ty e s’je ti aty nën tryezë për të menduar.

Sigurisht nuk të kujtohet kur ke dalë ta pish një kafe me ndonjë mik. Po, kur e mendosh, të dal a mos të dal, atëherë një zë i brendshëm të pyet: pse del? E me të vërtetë s’ke ku shkon. Kafenetë e lagjes janë shndërruar në klube  grupesh të ndryshme, janë bërë simposione publike ku trajtohet kotësia. Edhe aty – je nën ndjekjen e vazhdueshme të syrit të madh. Dhe, edhe ata përbirohet ajo fjala kërcënuese dhe ta vret veshin: Armik!

Veç kësaj, ajo që tash është dimër e na ka farkuar akulli gjithandej është plus një pengesë. Tash s’ka njeri që del ta pastrojë hyrjen e ndërtesës, kurse komunës tash nuk i dëgjohet zëri, nuk i kërcet fare për akullin që i ka mbërthyer rrugët, sepse zgjedhjet janë diku kah fundi i pranverës, kështu që ata të komunës kanë kohë që të zgjohen. Prandaj ata janë duke dimëruar rehat-rehat. Pastaj komuna është e qetë sepse intelektualët janë tërhequr, janë mbyllur në guaskat e fildishta, nuk bëjnë zë fort se nuk dihet se çfarë qeverie do të formohet. Bëri e u formua një qeveri për të cilën nuk ke thënë ndonjë fjalë të mirë, atëherë puna bëhet dhallë. Po jo, nuk do të formohet qeveri, sepse po u formua do të dalë Vaskoja e do të thotë se Musa e ka bërë, që kur ta përkthesh këtë mualif të Vaskos del se Musa qenka aq i fortë që e rrëzon me një shqelm shtetin. Kujdes, thotë Vaskoja, mos shko pas Musës se po shkove, automatikisht je Armiku i partisë, i koalicionit dhe kur je armik i partisë dhe i koalicionit, je edhe i shtetit. Si i tillë, e di se çfarë të pret.

Kështu, nuk del ti, nuk del ai, nuk dalin shumë të tjerë dhe lagjja  bëhet e shkretë. Tash as harabel nuk sheh, as sorrë këtu pari. Jo që i ka përzënë ngrica e të ftohtët, por si duket e dinë edhe ata sa i ndotur është ajri dhe sa e rëndë është atmosfera dhe ia kanë mbathur të gjejnë ndonjë vend ku mund të merret frymë më lehtë. Edhe zogjtë e shkretë e kanë ndjerë acarin dhe krizën në lëkurë të vet. Aty-këtu afrohet te dritaret ndonjë pëllumb i egër me këmbë të lënduar për t’u ngrohur e për të na kujtuar se në këtë botë ka edhe shpezë. Se për ushqim, ushqim s’ka. As për njerëzit, as për ata. Gjithkush kujdeset për ushqimin, madje edhe thërrmijat i ruajnë. Pëllumbat e shkretë do të mundohen shumë nëpër kontejnerë për ndonjë thërrmijë të mykur.

Të gjithëve na ka mbërthyer akulli, smogu, atmosfera e rëndë, syri i madh…

Po, helbete, njerëz jemi, kur detyrohesh të dalësh të blesh bukë në dyqan, duhet të kesh kujdes se mund të ketë nëpër ndërtesat e reja gra të cilat i hedhin najlonët me mbeturina nga kati i pestë, i gjashtë. Mund të të qëllojë najloni i mbushur e i rëndë në kokë e pastaj “konstatohet” se akëcilit i ka rënë pika sa ka dalë nga shtëpia. Jo najloni, po pika! Dhe, ja aq e ka njeriu: dje ishte, sot s’është. E thonë ndonjë fjalë njerëzit për të ndjerin: i mirë ka qenë! Diku mund ta mbajnë ndonjë përkujtim, ku del e flet ndonjë nga ushtarët e partisë. Një ditë më vonë e harrojnë. Mbetet njeriu me gjithë emrin e tij nën shtresën e trashë të harresës  si miliona njerëz që e kanë shpenzuar jetën për ta bërë e për ta ruajtur këtë lagje dhe emrin e këtij qyteti të lashtë.

“Nuk e di kah e ngritën kryet këto ndërtesa të larta midis lagjes sonë të mjerimit”? e pyet një mik mikun në telefon e shton: “Gjithë ato ndërtesa të larta që e shpojnë edhe qiellin! I kanë lënë shtëpitë tona të duken si thnegla të vrara pranë tyre.

Pse vëlla s’i bënë ato ndërtesa në atë boshllëkun e madh rreth kazermave, po i futën në këtë ngushticë midis shtëpizave tona këtu në lagje, ku s’kemi kurrfarë infrastrukture për ujë e për rrymë elektrike? Dhe, pse i kanë ngritur kur djem, vajza e zogj po largohen nga lagjja jonë? “Faji është i Musës”, shton, “se Musa ka bërë amin atëherë kur është bërë ndarja territoriale… Por, kjo që ta thashë, le të mbetet midis nesh… E, s’i dihet kur të bëhet qeveria”!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button