Gjosha takon Thaçin: Progresi i përbashkët drejt integrimit, më shumë siguri për shqiptarët

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi, shprehu vlerësimet më maksimale në lidhje me marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Kosovës “Për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në Gjuhën Shqipe, si dhe bashkëpunimit në sferën përafrimit të legjislacionit”. Kryeministri shprehu falënderimet për legjislacionin e përkthyer që Shqipëria i dhuroi Kosovës duke e cilësuar një ndihmë shumë të vyer.

“Legjislacioni i Shqipërisë të cilin ju na dorëzuat sot është një ndihmë e madhe për ne, pasi na shkurton kohë për procesin e integrimit. Edhe marrëveshja gjithashtu ka një rëndësi të veçantë. Axhenda e përbashkët e integrimit është tepër e rëndësishme për dy shtetet tona. Kosova dhe Shqipëria do të jenë bashkë dhe do të punojnë paralel për të avancuar sa më shumë në proceset integruese”, u shpreh Kryeministri Thaçi, gjatë takimit.

Ministrja e Integrimit Evropian theksoi se Shqipëria do të vijojë të ofrojë asistencë dhe ekspertizë jo vetëm në sferën e legjislacionit, por në të gjitha hallkat e procesit të cilat tashmë i ka ezauruar dhe që Kosovës i duhet të përmbyllë.

“Thellimi i bashkëpunimit për procesin e integrimit ka një rëndësi të madhe për ne aq më tepër kur bëhet fjalë për Kosovën me të cilën kemi një lidhje të veçantë. Procesi i integrimit është një prioritet madhor kombëtar, dhe përshpejtimi i tij është së pari një detyrim që ne kemi ndaj qytetarëve tanë. Çdo hap që shënon progres në këtë drejtim ofron më shumë siguri për ta, për të ardhmen e tyre. Vullneti i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës për të bërë maksimumin në këtë udhëtim, duhet nxitur më tej”, u shpreh Ministrja e Integrimit Evropian./ Ora News

Lajme të ngjashme

Back to top button