Obama: Kufijtë e Evropës nuk mund të ndryshohen me forcë

Presidenti Obama thotë se ai beson se demokracia dhe shteti i së drejtës do të triumfojnë në Ukrainë. Ai i bëri komentet të mërkurën mbrëma në Pallatin e Arteve të Bukura të Brukselit, pas takimeve me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Ai tha se fuqitë perëndimore nuk kanë ndonjë plan që të përpiqen për ta nxjerrë Rusinë nga Krimea me forcë. Por ai shtoi se me kalimin e kohës, në qoftë se Perëndimi qëndron i bashkuar, Rusia do të kuptojë se ajo nuk mund të përdorë forcë brutale për të arritur qëllimet e saj.

Presidenti tha se kufijtë e Evropës nuk mund të ndryshohen me forcë. SHBA dhe NATO-ja, tha ai, nuk kërkojnë ndonjë konflikt me Rusinë.

Duke iu referuar sigurisë së Ukrainës, ai tha se kjo nuk është një luftë tjetër e ftohtë, por SHBA dhe Evropa duhet t’i mbrojnë aleatët e tyre.

Presidenti përmendi Kosovën dhe argumentoi se nuk mund të bëhen paralelizma mes Kosovës dhe rastit të Krimesë:

“Në mbrojtje të veprimeve të tyre, udhëheqësit rusë kanë përdorur Kosovën si një precedent, një shembull, siç thonë ata, që flet për ndërhyrjen e Perëndimit në punët e një vendi të vogël, ashtu si po bëjnë ata tani. Por NATO-ja ndërhyri vetëm pasi populli i Kosovës po brutalizohej në mënyrë sistematike dhe po vritej për vite me r’radhë. Dhe Kosova u shkëput nga Serbia vetëm pas një referendumi, i cili u organizua jo jashtë kufijve të së drejtës ndërkombëtare, por në bashkëpunim të kujdesshëm me Kombet e Bashkuara dhe me fqinjët e Kosovës. Ajo që ndodhi në Krime as që i afrohej kësaj,” tha Presidenti Obama./ Ora News

Lajme të ngjashme

Back to top button