Përfundon sezoni për Valdes

Barcelona fiton 3-0 pa problem, por paniku është kryefjala e mbrëmjes në Camp Nou. Përballë Celta Vigos me ish katalanasin Luis Enrique që rikthehet si trajner i vizitorëve, blaugranat e dinë shumë mirë se çdo hap i gabuar pas triumfit në El Clasico mund të rezultojë fatal në garën për titullin, që është bërë më e ndezur se kurrë më parë.

Në shtëpi Barça e Martinos zbret në fushë e karikuar, e motivuar, me lojën që e merr nën kontroll që në sekondat e para. Eshtë minuta e pestë kur Messi shënon, por goli me të drejtë anulohet sepse argjentinasi është dukshëm në pozicion jashtë loje, më i avancuar se mbrojtja e Celtas. Gjithsesi pa kaluar ende një minutë, 4 herë fituesi i Topit të Artë orkestron një tjetër revansh të blaugranave më brazilianin Neymar që realizon të parin gol, ndonëse edhe këtu nuk mungojnë protestat e miqve që sërish pretendojnë për pozicion të parregullt, transmeton Supersport.

Kur gjithçka duket se është në rrugën e duhur, vjen edhe momenti i ankthit me heshtjen që pllakos në Camp Nou.

E gjithë vëmendja shkon te Victor Valdes në minutën e 22-të që duket se e ka të vështirë të qëndrojë në këmbë dhe zëvendësimi është i paevitueshëm. Porta i besohet Pintos, por lajmet ndërkohë për gjendjen e Valdes janë dramatike.

Dëmtimi në gjurin e djathtë duket serioz me parashikimet e para që e çojnë deri në 6 muaj jashtë, një alarm i vërtetë për gardianin që rrezikon jo vetëm Botërorin por edhe të ardhmen pas largimit të pritshëm nga Barça në fund të sezonit.

Për t’u rikthyer te ndeshja, blaugranat vazhdojnë të bëjnë detyrën me Messin që dyfishon avantazhin në minutën e 29-të falë të jashtëzakonshmit Iniesta që shërben, ndërsa goli i sigurisë vjen sërish nga braziliani Neymar që shënon në të 66-ën të tretin për katalanasit dhe të dytin personal. Gjithsesi nuk mund të ketë festë te Barcelona, pasi e gjithë vëmendja mbetet e përqëndruar te gjendja e Valdes.

Lajme të ngjashme

Back to top button