АNALIZË: “Buxhet i fryrë” dhe premtime të mëdha investuese!

Edhe një dështim në vitin investues 2016. Të dhënat buxhetore tregojnë se investimet shtetërore janë më të vogla për 24% në krahasim me ato që ishin planifikuar dhe projektuar. Një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se është koha që qeveria të bëjë një listë me investime kapitale me prioritet dhe buxheti më të mos jetë një “balon i fryrë”. Po ashtu, rezultate të dobëta pati edhe nga politikat për tërheqjen e investimeve të huaja, me vetëm 0,4% të PBB-së deri në fund të tremujorit të tretë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

A kemi investime me prioritet?

Edhe në vitin 2016 qeveria nuk arrit t’i realizojë investimet e paralajmëruara dhe të projektuara shtetërore. Sipas të dhënave të reja për vitin buxhetor 2016, realizimi është 76%. Në fakt, investimet kapitale të shtetit janë realizuar në vlerë prej 276 milionë eurosh, nga numri i fundit i projektuar prej 363 milionë eurosh me rebalancin e dytë dhe vetëm 68% nga numri i projektuar fillimisht prej 408 milionë eurosh gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2016 në dhjetor të vitit 2015. Ky trend i dështimit, gjegjësisht i mosrealizimit të targeteve të përcaktuara, është regjistruar tashmë disa vite. Një pjesë e analistëve konsiderojnë se për këtë ka disa arsye.

“Përdorimi i projektimeve të larta, të pabaza, për PBB-në dhe inflacionin (veçanërisht karakteristike për periudhën 2008-2011), me qëllim që të fryhet buxheti si formë e premtimit për shpenzime më të mëdha për shfrytëzuesit e ndryshëm buxhetorë. Refuzimi që të zvogëlohen shpenzimet rrjedhëse me qëllim të plotësimit të premtimeve të caktuara parazgjedhore (karakteristike për gjithë periudhën, e veçanërisht për periudhën 2011-2014), si dhe tentimi që të frenohet deficiti buxhetor, me qëllim që t’i tregohet publikut se ndërmerren hapa për realizimin e konsolidimit të premtuar fiskal (karakteristike për periudhën 2015-2016)“ – thonë nga “Finance think”.

Ekonomistët tashmë paralajmëruan se treguesit për investimet e huaja, mirëpo edhe për realizimin e investimeve kapitale, nëpërmjet buxhetit, tregojnë se viti 2016 mund të jetë njëri nga më të dobëtit në aspekt të aktiviteteve investuese.

“Projektimet për shpenzimet buxhetore paraqesin vetëm një listë me dëshira, në qoftë se nuk mbahet llogari për kapacitetin fiskal, gjegjësisht për burimet e rregullta të financimit. Njëkohësisht, projektimet për rritje të shpenzimeve kapitale pjesërisht janë edhe për qëllime të marketingut, me qëllim që të lihet përshtypje më e mirë te elektorati, sepse rritja e shpenzimeve kapitale varet jo vetëm nga të ardhurat që janë dispozicion, por edhe nga kapaciteti institucional për realizimin e tyre. Në fakt, rritja e shpenzimeve kapitale është në funksion të rritjes së ofertës dhe të cilësisë së të mirave publike, mirëpo njëkohësisht edhe në funksion të rritjes së efikasitetit, e me këtë edhe të konkurrencës në ekonominë e vendit. Mirëpo, që të arrihen këto qëllime, duhet të realizohen projekte kapitale, me të cilat sigurohet dobi, gjegjësisht efekte kthyese (përqindje më e lartë e rritjes ekonomike, rritje e ofertës vendore, përmirësim i cilësisë, rritje e numrit të punësimeve, stabilitet i çmimeve), të cilat në esencë janë qëllimet kryesore të politikës makroekonomike”, thotë profesori universitar Semi Bislimi.

Edhe investimet e huaja në “akull të hollë”

Sipas të dhënave të fundit të publikuara të Bankës Popullore, në tremujorin e tretë, vlera e IHD-ve ka qenë 9,7 milionë euro ose vetëm 0,4% e PBB-së. Ky nivel është niveli më i ulët gjatë vitit 2016. Në tremujorin e parë, investimet e huaja kanë qenë 5,1% e PBB-së, ndërsa në tremujorin e dytë 1,5% e PBB-së, e ky zvogëlim ka vazhduar edhe në tremujorin e tretë ekonomik të vitit 2016, transmeton Portalb.

Nga “Finance think” konsiderojnë se ka ardhur koha që qeveria të bëjë listë të investimeve kapitale me prioritet.

“Revizion i metodës për projektim të shpenzimeve kapitale në buxhet. Cikli i planifikimit të investimeve kapitale është shumë më i gjatë se cikli i planifikimit të shpenzimeve rrjedhëse, që është në dobi të zvogëlimit të gabimit gjatë projektimit. Pastaj, lënia e politikës së projektimit inicial me vetëdije të shumave më të larta të shpenzimeve kapitale dhe shkurtimi i tyre adekuat me rebalance të buxhetit gjatë vitit kalendarik; Fillimi i debatit të gjerë ekspert për dedikimin dhe efikasitetin e mjeteve të shpenzuara dhe prioritizimi adekuat. Madje edhe gjatë eliminimit të të ashtuquajturave investime joproduktive, Maqedonia nuk ka kapacitet që t’i financojë të gjitha investimet produktive përnjëherë, prandaj nevojitet konsensus shoqëror për prioritizimin e tyre” – thonë nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike “Finance Think”.

Në lidhje me modelin aktual për tërheqjen e investimeve të huaja reaguan edhe një pjesë e afaristëve të cilët konsiderojnë se nevojiten ndryshime.

“Publiku nuk e di se sa është vlera e subvencioneve që u jepen dhe që u mundësohen kompanive të huaja. Këto politika, përveç që janë diskriminuese në raport me firmat e vendit, ndikojnë edhe për krijimin e konkurrencës jolojale, e ky është njëri nga faktorët kryesorë për shkak të të cilit furnizuesit vendorë nuk mund të hyjnë në zinxhirin e ofertës së kompanive të huaja” – deklaroi para do kohësh afaristi Fatmir Bytyqi.

Baza e të dhënave “Investimet e huaja nën thjerrë”, e përgatitur nga ana e BIRN Maqedoni, para do kohësh zbuloi se nga investimet e paralajmëruara të huaja prej pothuajse katër miliardë euro, janë investuar vetëm 570 milionë euro dhe se investitorët e huaj kanë investuar shtatë herë më pak se sa vlera e paralajmëruar dhe kanë hapur tre herë më pak vende pune se sa që kanë premtuar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button