Shifrat nuk flasin njëjtë si BDI-ja

Në kohën kur BDI lavdërohet me avancimin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, shifrat flasin të kundërtën. Akoma shumë institucione dhe organe të tjera publike nuk kanë asnjë të punësuar shqiptar apo një përqindje shumë të vogël. Që situata të jetë më tragjike, ende qindra të punësuar që figurojnë si numër në raportet lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve, nuk kanë siguruar karrigen  në ‘vendet e tyre të punës’ pasi prej vitesh marrin pagë dhe qëndrojnë në shtëpitë e tyre. 

Megjithatë, BDI insiston se ka bërë goxha punë në avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve.

“Në aspekt të punësimit në institucionet shtetërore dhe publike, avancuam përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve. Në periudhën 2002-2006 përfaqësimi është rritur nga 2,5 % në 10,3 % dhe gjatë periudhës 2008-2013 është rritur nga 10,8 në 18,3”, theksohet në raportin llogaridhënës të BDI-së. 

Por se sa nga këto të punësuar janë të sistematizuar në vendet e tyre të punës mbetet enigmë. 

Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti vlerëson se megjithëse përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në përgjithësi ec, por me hapa të ngadalshëm. “Duhet shumë më tepër të punohet që më shpejtë të arrihet përfaqësimi i nevojshëm, me qëllim që të gjitha etnitetet të kenë besim në institucione dhe ato t’i ndejnë se janë në shërbim të tyre”, thekson për Portalb, Mehmeti.

Sipas Avokatit të Popullit ngecje ka edhe në përfaqësimin vertikal, respektivisht përfshirjes së shqiptarëve nëpër postet udhëheqëse. “Nga këto të dhënave që kemi grumbulluar për sa u përket vendeve udhëheqëse ka një avancim të lehtë të përfaqësimit të vendosjes së shqiptarëve në poste udhëheqëse por larg asaj që duhet të jetë respektimi i plotë i parimit Kushtetues”, shton Mehmeti.

Sipas tij madje problemi kryesor për këtë ngecje është mungesa e vullnetit politik. Siç thekson Mehmeti, problemi më serioz qëndron atje ku udhëheqës të institucioneve janë maqedonasit, pasi nuk kanë tregojnë gatishmëri për të përmirësuar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet që i drejtojnë ata.  

Sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit një numër i madh Institucionesh nuk përmbushin obligimin kushtetues për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike në Maqedoni. Madje gjendja më e keqe rezulton në Gjykatat dhe Prokuroritë Publike. Në Gjykatat themelore në nivel të republikës përfaqësimi është rreth 15 % ndërsa në gjykatat e apelit rreth 11%. Përfaqësimi i dobët i shqiptarëve është edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme,  dhe të Brendshme, Ministrinë e Financave rreth 9,6%, Ministrinë e Shoqërisë Informatike si dhe në Agjencitë e ndryshme shtetërore, disa prej të cilave madje nuk numërojnë asnjë shqiptar të punësuar. Situata e ngjashme është edhe në burgjet dhe ndërmarrjet publike. Si psh, në drejtorinë për të ardhurat publike përfaqësimi i shqiptarëve është 7,61%.  Ndërkohë, sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit, në nivel shtetëror përfaqësimi i shqiptarëve arrin në 17.8 %.

Nga ana tjetër ndonëse akoma i papublikuar, sipas Avokatit të Popullit përfaqësimi i shqiptarëve në vitin 2013 ka arritur në 18,3%. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button