Zëri i Amerikës në shqip, drejt mbylljes

Agjencia e qeverisë amerikane që mbikqyr “Zërin e Amerikës”, ka publikuar propozimin për buxhetin e vitit 2015, ku parashikohet eliminimi i programeve në gjuhët e Ballkanit dhe rrit shpenzimet për Azinë dhe Afrikën.

Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet i kërkon Kongresit të ulë 10 milion dollarë nga 721 milionë dollarë për buxhetin e vitit 2015.

Kërkesa për buxhetin e vitit 2015 përfshin nismat për platformat e transmetimeve me video për të rinjtë dhe platformat dixhitale për Kamboxhian, Vietnamin dhe Birmaninë. Ndërsa për Kinën, Bordi i Guvernatorëve ka në plan të rrisë përdorimin e mediave sociale dhe programet për luftimin e censurës në internet.

Gjithashtu do të hapet një shërbim i ri në gjuhën Lingala për Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa programet e “Zërit të Amerikës” për mësimin e anglishtes pritet të zgjerohen.
Por buxheti i vitit 2015 do të eliminojë shërbimet e gjuhëve që transmetojnë programe për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë. Ndërsa shërbimet që transmetojnë për Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Iranin, Kubën dhe Uzbekistanin do të reduktohen.
Propozimi për buxhetin e vitit 2015 parashikon edhe mbylljen e zyrave të ”Zërit të Amerikës” në Jeruzalem dhe Hjuston.

Dave Allison, kryetari në detyrë i sindikatës që përfaqëson shumë punonjës të Zërit të Amerikës, tha se me eliminimin e këtyre shërbimeve, “Zëri i Amerikës” po “tërhiqet” nga misioni i tij historik që filloi në vitin 1942.

Shërbimi në gjuhën shqipe i Zërit të Amerikës ka festuar në datën 5 maj 2013 70-vjetorin e transmetimeve të tij, fillimisht përmes radios dhe më pas edhe përmes televizionit dhe internetit. /albeu/

Lajme të ngjashme

Back to top button