Bogov: Këtë vit rritje të BPV-së prej 3,7 për qind

Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov para studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë mbajti një ligjëratë për sfidat e politikës monetare të shtetit dhe faktorëve që ndikojnë në ekonominë tonë.

“Janë disa faktorë të cilët ndikojnë në projeksionet që ne si Bankë popullore i bëjmë dy herë në vit, në prill dhe në tetor dhe që i marrim parasysh siç janë gjendjet dhe lëvizjet ndërkombëtare, dhe lëvizjet dhe supozimet për ekonominë tonë. Tashmë muajin e ardhshëm fillojmë me raundin e ri të vlerësimeve për të parë se ku dhe sa kemi lëshime nga supozimet dhe ndoshta do të ketë edhe revizion të këtij numri. Te inflacioni vlerësuam se ai do të jetë 2,3 për qind në nivel vjetor dhe me revizionin e rregullt të prillit do të bëjmë vlerësim të këtij numri”, deklaroi Bogov.

Si rreziqe të mundshme që do të kenë ndikim ndaj numrave të parashikuar për një ekonomi të vogël dhe të hapur si kjo e Maqedonisë, guvernatori Bogov i theskoi ngjarjet ndërkombëtare dhe posaçërisht krizën në Ukrainë dhe marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe aleatëve perëndimor.
“Ngjarjet e atjeshme tashmë shkaktuan rritje të vogël të çmimeve të misrit dhe grurit dhe nëse vjen deri te eskalimi i gjendjeve dhe embargove të ndërsjella tregtare ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, është e mundur rritja edhe e çmimit të naftës dhe vlerësimet për rritje të ekonomisë në BE prej 1 për qind të ulen që gjithsesi do të reflektohet edhe në eksportin tonë i cili kryesisht shkon në vendet e BE-së”, tha Bogov.

Pas përfundimit të ligjëratës së tij, guvernatori Bogov u përgjigj në pyetjet e studentëve rreth politikës monetare, kursin e denarit, lëvizjet në sektorin bankar, kreditimin e popullatës dhe mundësitë për kahëzim të kreditimit drejt sektorit koorporativ.

Sipas rektorit të UEJL, Zamir Dika, konstatim i përbashkët i të pranishmëve është se BPRM tani është e më e hapur ndaj opinionit, që tregon edhe ligjërimi i sotëm i guvernatorit para studentëve, të cilët, ndërkaq, patën mundësi që gjatë kontaktit të drejtpërdrejtë me të të dëgjojnë pjesë të përvojave, pikëpamjeve dhe gjykimeve të një profesionisti të vërtetë në fushën e tij. Dika paralajmëroi se do të vazhdojë trendi i ligjëratave të këtilla nga ekspertë të fushave të ndryshme para studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button