Kelmendi: Ali Ahmeti i solli në UÇK, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Një nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Muhamet Kelmendi ka theksuar se Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk ishin themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ata u inkuadruan më vonë përmes Ali Ahmetit, i cili ka qenë shef i njësisë ndërlidhëse për brenda dhe jashtë në kuadër të LPK-së dhe UÇK-së.  Ai këtë e ka shpjeguar në intervistën për emisionin “Rubikon” të KTV-së.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk kanë qenë në themelimin e UÇK-së.  Por personalisht i kam njohur që nga viti 1991 prej ilegales. Ata kanë ardhur më vonë dhe janë sjellë nga Ali Ahmeti  në vitin 1996 dhe se ai garantonte për ta. Nuk e di që kanë qenë në themelim të UÇK-së. Për të qenë më i qartë, nuk kanë qenë themelues”, ka theksuar Kelmendi, i cili në qershor të 1998 thotë se kishte braktisur LPK-në për shkak të mospajtimeve rreth luftës frontale, grumbullimit të mjeteve dhe politikave të kësaj lëvizje.

Sipas tij, Thaçi dhe Veseli nga periudha e inkuadrimit më të drejtpërdrejt kanë vepruar nën direktivat e Azem Sylës, Ali Ahmetit e Xhavit Halitit, tre themelues të tjerë të UÇK-së.
Në emisionin e Adriatik Kelmendit, ai ka thënë se fondi i tre përqindëshit duhet të hetohet nga Kuvendi dhe Organet kompetente.

Kelmendi ka përmendur se qeveria Bukoshi kishte dhënë tri herë nga 30 mijë marka për UÇK-në, e kjo ishte bërë përmes Adem Demaçit. Por ky i fundit, sipas Kelmendit nuk dinte gjë për UÇK-në deri në vitin 1996.

“Unë e kam takuar dhe i kam treguar për UÇK-në. Nuk e besonte. Por duke qenë se ai kishte lidhje të mira me Bujar Bukoshin e luta që të shkojë dhe të kërkojë para për UÇK-në. I thash që cilin do person që e do Bujar Bukoshi le te ngarkon me këtë punë. Bukoshi u pajtua me një kusht. Tha, i ndajmë çdo muaj nga 30 mijë euro me kushtin që çdo muaj të ketë aksione kundër forcave pushtuese”, ka thënë Kelmendi, teksa ka shtuar se janë ndarë mjete tri herë.
Njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe LPK-së Kelmendi ka folur edhe vrasjen e Zahir Pajazit, për të cilën ka kërkuar hetime. Këtë të fundit dhe Adem Jasharin ka thënë se i ka dërguar në Tiranë për ushtrime LDK-ja.

Njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe LPK-së Kelmendi në këtë intervistë ka folur në mënyrë kronologjike për të gjitha zhvillimet e organizatave legale dhe jo legale të asaj kohe dhe për çështje të tjera.

Lajme të ngjashme

Back to top button